Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, vizitoi sot Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta e përgëzoi Kryetarin Spahiu me rastin e zgjedhjes së tij në krye të institucionit dhe vlerësoi rolin e shquar të Komunitetit Mysliman, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend, si dhe në forcimin e shtetit tonë.

Gjithashtu Presidenti Meta vuri në dukje domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve për të bërë të mundur kthimin e pronave Bashkësive Fetare dhe kompensimin e tyre sa më parë nga shteti.

Ndërsa Kryetari Spahiu, pasi e falënderoi Presidentin Meta për pritjen dhe urimet me rastin e zgjedhjes së tij në krye të institucionit, u ndal në vendosmërinë e tij për të kontribuar më tej në zhvillimin fetar, ekonomik dhe social të vendit.

Bashkëbisedimi ndërmjet tyre vijoi më tej duke theksuar rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes institucioneve fetare në vend me ato shtetërore në të gjitha fushat, duke filluar që nga arsimi, shëndetësia, solidariteti shoqëror dhe njerëzit në nevojë.