ZK1A0120

Gjatë vizitës në Elbasan me rastin e hapjes së panairit të Kurban Bajramit, kryetari Bruçaj u prit në një takim nga kryebashkiaku Qazim Sejdini.

Z. Sejdini e falënderoi kryetarin Bruçaj për këtë vizitë që vjen para një feste të madhe e të rëndësishme për mbarë myslimanët. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e Komunitetit Mysliman ndër vite në të mirë të fesë dhe në dobi të qytetarëve shqiptarë. Ai vlerësoi po ashtu punën që kryhet nga Myftinia e Elbasanit, në nivel drejtuesish dhe kuadrosh, kontributin e saj në gjallërimin e jetës fetare dhe edukimin e njerëzve me frymën e paqes dhe harmonisë që përçon feja Islame.

Nga ana e tij, z. Bruçaj e falënderoi z. Sejdini për pritjen e ngrohtë e të përzemërt. Më tej ai i shprehu z. Sejdini respektin dhe konsideratën e thellë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Komunitetit Mysliman (Myftinisë Elbasan).

Gjatë takimit u diskutua edhe për çështje të arsimit. Kryetari Bruçaj nënvizoi se po shihet mundësia e hapjes së një shkolle për vajzat në qytetin e Elbasanit, në mënyrë që ato krahas arsimimit, të marrin edhe kulturën fetare.

Nga ana e tij, z. Sejdini premtoi se punimet për ndërtimin e xhamisë së Ballies do të përfundojnë së shpejti dhe besimtarët elbasanas do të kenë një vend të denjë për ushtrimin e besimit të tyre.

Në këtë takim kreu i KMSH-së shoqërohej nga Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, z. Ylli Gurra, drejtori i fondacionit “Sema”, z. Asim Budak dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së për Elbasanin, z. Arben Ramkaj.

1 tetor 2014

ZK1A0078 ZK1A0162