Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, shtruan një iftar në Burgun e sigurisë së lartë Peqin, për të gjithë personat me liri të kufizuar që vuajnë dënimin në këtë institucion dhe agjërojnë muajin e Ramazanit.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, drejtori i Çështjeve Sociale në KMSH, z. Edvin Kuçi, myftiu i Peqinit, z. Bilal Bodlli, drejtori i burgut të Peqinit, stafi i edukimit si dhe punonjësit e policisë së burgut.

Para iftarit, kryetari i KMSH-së i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve zhvilluan në ambientet e faljes një takim me agjëruesit e këtij institucioni.

Në fjalën e tij të rastit z. Bruçaj vlerësoi agjërimin nga të burgosurit dhe u uroi atyre agjërim të pranuar.

“Ushqimi shpirtëror ka një rëndësi të veçantë. Ramazani është muaji i solidaritetit, i afrimit me njëri-tjetrin, një simbol i bukur i të qenit njeri më i mirë dhe më i dashur. Uroj që ky muaj të ketë ndikuar sa më pozitivisht dhe të ketë qenë një muaj reflektimi”, tha ndër të tjera z. Bruçaj

Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i burgjeve, z. Artur Zoto falënderoi Komunitetin Mysliman për kontributin e vazhdueshëm nëpër burgje dhe shtrimin e iftareve gjatë muajit të Ramazanit.

Gjatë bisedës drejtori i Çështjeve Sociale në KMSH, Edvin Kuçi dhe myftiu i Peqinit, Bilal Bodlli theksuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla në këto institucione.

Më pas u fal namazi i akshamit dhe u shtrua iftari për të gjithë agjëruesit që vuajnë dënimin në këtë institucion.

Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti u diskutua thellimi i marrëdhënieve midis dy institucioneve me kontribute të ndryshme të aspektit shpirtëror si dhe pajisjen e burgut me libra fetarë për të burgosurit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në kuadër  të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, ka shtruar një sërë iftaresh për agjëruesit në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend.

3 korrik 2016

ZK1A2461  ZK1A2405 ZK1A2407 ZK1A2412 ZK1A2435 ZK1A2452  ZK1A2504ZK1A2358ZK1A2331