Me ftesë të ministrit të haxhit dhe umres, Dr. Tevfik Rabiah, në këtë konferencë marrin pjesë ministra, kryetarë bashkësish islame si dhe përgjegjës të zyrave të haxhit nga më shumë se 80 shtete të botës, përmendim këtu edhe Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe Myftiun e Tiranës, njëkohësisht edhe koordinatori i ritualit të haxhit për vendin tonë, z. Lauren Luli.

Organizimi në fjalë përbëhet nga konferenca, panairi i firmave që ofrojnë shërbimet e haxhit dhe umres si dhe workshope me koordinatorët e haxhit për çdo vend pjesëmarrës.

Ndër aspektet që u theksuan më së shumti gjatë këtij organizimi ishin investimet infrastrukturore dhe përmirësimet e sigurisë në kryerjen e dy ritualeve të sipër përmendura.

Konferenca u hap nga zëvendës emiri i Rajonit të Mekës, princi Saud bin Mishal.

Për të vijuar më tej me fjalën e Ministrit Saudit të Haxhit dhe Umres, i cili pohoi se janë nisur projekte për zhvillimin e infrastrukturës për vendet e shenjta në vlerë më shumë se pesë miliardë rialë (rreth 1.3 miliardë dollarë).

Konferenca do të vazhdojë punimet e saj deri më 11 janar dhe përgjatë zhvillimit të saj, do të trajtohen tema konkrete mbi produktet, shërbimet, projektet dhe investimet në teknologjinë inovative në sektorin e Haxhit dhe Umres.