U hap sot në ambientet e “Tirana International Hotel”, faza finale e Konkursit Rajonal të Memorizimit të Kuranit Fisnik për vendet e Ballkanit, konkurs ky i organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite.
Në ceremoninë e hapjes, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Atasheu Fetar i Arabisë Saudite në Bosnje-Hercegovinë, z. Amir al-Anezi, Përgjegjësi i Çështjeve Fetare në ambasadën e Arabisë Saudite në vendin tonë, z. Abdulaziz al-Atik, drejtues institucionesh fetare nga Ballkani, përfaqësues nga ministria e lartpërmendur dhe myftinj nga rrethe të ndryshme të vendit.
Faza në fjalë e konkursit ka bërë sëbashku rreth 100 konkurentë nga Ballkani dhe Evropa Juglindore. Do të zgjasë tre ditë dhe është e organizuar me seanca 3 orëshe, paradite dhe pasdite, deri ditën e dielë, më 12 nëntor 2023, ditë në të cilën do të zhvillohet ceremonia përmbyllëse dhe do të shpërndahen çmimet përkatëse për fituesit.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ju uron qëndrim të këndshëm dhe suksese në konkurs të gjithë pjesëmarrësve që kanë ardhur nga mosha dhe vende të ndryshme, përfshirë edhe disa rrethe të vendit tonë.