Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, priti sot në një takim pune Drejtorin e Përgjithshëm të Deutsche Welle, z. Peter Limbourg, i shoqëruar nga dy përfaqësues të tjerë të kësaj mediaje.

Gjatë takimit u diskutua për aspekte të ndryshme të raportimit të tematikave fetare ndër vite të kësaj mediaje si dhe për hapësirën që ka pasur institucioni i KMSH-së në raportimet e saj.

Në fjalën e tij, z. Bruçaj, pasi bëri një rezyme të shkurtër të institucionit që drejton, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me DW si thelbësore në mos tjetërsimin e termave fetarë në përdorimin e përditshëm të raportimeve që vijnë nga problematika fetare të vendit tonë.

Ndërsa z. Limbourg, vlerësoi punën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe kontributin që ka ky institucion në shoqërinë tonë. Gjithashtu ai vlerësoi frymën e tolerancës fetare në Shqipëri. Në fund ai prezantoi disa nga projektet që DW ka për rajonin e Ballkanit.

Deutsche Welle (DW) është media ndërkombëtare më e rëndësishme e Gjermanisë dhe një burim i njohur në mbarë botën për lajme dhe informacione të besueshme. DW transmeton në rreth 30 gjuhë dhe që nga viti 1992 edhe në gjuhën shqipe.