DITËT DHE NETËT E MIRA NË ISLAM

Në kushtet e zakonshme, mes kohëve të ndryshme nuk ka ndonjë dallim dhe përparësi. Ndërkaq, disa ditë dhe net kanë fituar veçanti dhe vlerë ngaqë janë bërë skenë e disa ngjarjeve me rëndësi. Megjithëse këto ditë dhe net mbështeten në pretekste të ndryshme, janë kohë dhe raste shumë me vlerë që kanë një funksion të përbashkët në sigurimin e fuqizimit të besimit e të jetës besimore te myslimanët.

Ditët dhe netët e mira janë prej shenjave të Islamit, kështu që ato kanë një rëndësi dhe vlerë të veçantë. Universi, qiejt dhe të gjitha krijesat i respektojnë së tepërmi këto kohë. Këto ditë dhe net, shenjtëria e të cilave është e përcaktuar me ajete dhe hadithe, si dhe festohen prej shekujsh me radhë, zënë vend brenda muajve të vitit. Koha e këtyre është e përcaktuar sipas kalendarit hënor, e cila përmban 355 ditë, pra, 10 ditë më pak sesa kalendari ynë diellor. Për rrjedhojë, ditët dhe netët e mira si dhe festat fetare në Islam nuk fiksohen në një datë dhe muaj të caktuar, por lëvizin duke i përshkruar të gjithë muajt me radhë, e cila përbën një bukuri krejt të veçantë dhuruar nga Allahu Fuqiplotë.