zk1a2866

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit dhe qindra mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Festimet e Kurban Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër.

Programi ka filluar me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së Selitës, z. Adnand Merja.

Ceremonia ka vazhduar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.

“Kjo ditë e madhe, Kurban Bajrami, vjen sot për t’i sjellë botës mesazhin e respektit, tolerancës, dashurisë dhe sakrificës. Kjo është dita kur i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje dhe gëzim, me paqe dhe vëllazëri. Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, harmoni, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit”, u shpreh Bruçaj.

Ndërsa drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH, z. Elvis Naçi, u shpreh se besimtari duhet të sillet sipas parimive të cilat na ka caktuar Allahu i Madhërishëm.

“Profeti Muhamed a.s ka thënë se njeriu më i mirë është ai që e ka jetën e gjatë dhe e ka të mbushur me vepra të mira. Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që fut gëzim tek një zemër. Çdo besimtar duhet të sillet me respekt ndaj prindërve, të jetë i dobishëm familjen, për veten e tij, për të afërmit, për komshinjtë dhe të kontribuojë në emancipimin e vendit”, tha z. Naçi.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

“Në ditën e Bajramit bashkohemi sëbashku për të përcjellë falënderimet dhe mirënjohjet ndaj Allahut xh.sh. Kurban Bajrami është dëshmia e përkushtimit tonë ndaj krijuesit, dëshmia e solidaritetit dhe bindjes. Në këtë festë ne duhet ti themi jo indiferencës sociale. Të lehtësojmë të tjerët dhe të jemi me të drejtën. Bardhësia e shpirtrave të myslimanëve në këtë shesh dhe në sheshet e gjithë botës është drejtuar me lutje dhe përgjërime ndaj të Madhit Zot”, tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Ndërsa Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në KMSH. z. Oltion Kola, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami si një traditë e shkëlqyer e të parëve tanë, shërben dhe nxit përkrahjen dhe ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrin, për një familje dhe shoqëri të shëndoshë dhe se Kurbanet që do të bëhen sot, të jenë shkak i afrimit tonë me Krijuesin.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.

12 Shtator 2016

zk1a2871  zk1a2779 zk1a2732zk1a2819 zk1a2938zk1a2750zk1a2868  zk1a2875 zk1a2880 zk1a2914  zk1a2988