Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në selinë e institucionit dy përfaqësues të Bashkësisë Islame të Preshevës dhe Bashkësisë Islame të Serbisë në Novi Pazar.

Gjatë kësaj vizite, ata i dorëzuan Kryetarit të KMSH-së, z. Spahiu, kontributin monetar të mbledhur nga besimtarët përkatës të Bashkësive Islame për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në vendin tonë.

Në fjalën e tyre, të dy përfaqësuesit e Bashkësive Islame të lartpërmendura shprehën mbështetjet institucionale në normalizimin e kësaj situate dhe përcollën tek Kreu i KMSH-së, mesazhet solidarizuese të besimtarëve të vendeve përkatëse.

Ndërsa Kryetari Spahiu, pasi i falënderoi të pranishmit për vizitën u ndal në rëndësinë e solidarizimit qoftë institucional qoftë edhe në rang besimtarësh në tejkalimin e situatave të tilla. Më tej ai shprehu falënderimet e tij për të gjithë ata besimtarë të Preshevës dhe Novi Pazarit të cilët kontribuuan për tu ardhur në ndihmë familjeve të lartpërmendura.

Bashkëbisedimi vijoi më tej me tematika të ndryshme aktuale.