Ambasada e Kuvajtit në Shqipëri ka dhuruar pako me ushqime për shtresat në nevojë me rastin e muajit të Ramazanit.

Në dorëzimin e ndihmave për këto shtresa ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. B. Spahiu dhe ambasadori i Kuvajtit, z. Nexhib Abdurrahman El-Bedr.

Z. Spahiu i shprehu ambasadorit falënderimet më të sinqerta në emër të institucionit për kontributin e vazhdueshëm që qeveria dhe populli i Kuvajtit po i japin popullit shqiptar, sidomos në muajin e Ramazanit, që njihet ndryshe edhe si muaji i bamirësisë.

Nënkryetari Spahiu theksoi gjithashtu se Ramazani është  një rast i mirë për të qenë më pranë me njëri-tjetrin dhe për të parë nga afër realitetin në të cilin jetojmë.

“Në këtë muaj duhet ta shtojmë edhe më tepër bujarinë dhe ndihmën ndaj nevojtarëve”, tha z. Spahiu.

Ambasadori El-Bedr nga ana e tij falënderoi Komunitetin Mysliman për bashkëpunimin dhe shprehu dëshirën e zgjerimit të aktivitetit të bamirësisë në vendin tonë.

Përfituesit e këtyre ndihmave ishin kategoritë shoqërore me nevoja specifike si të verbrit, invalidët, jetimët, si dhe familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, disa myftini, etj.

22 qershor 2015

KMSH-A. Kuvajtit - ndihma (1)

KMSH-A. Kuvajtit - ndihma (2)