Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, ndodhet prej disa ditësh në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku po merr pjesë në “Konferencën Globale të Vëllazërisë Njerëzore” me rreth 1500 përfaqësues të feve të ndryshme nga e gjithë bota, ndër të cilët veçojmë Shejhun e madh të Al-Az-harit, Shejh  Ahmed al-Tajjib dhe Papa Françeskun, Kreun e Kishës Katolike dhe sovran i qytetit të Vatikanit.

Ndër tematikat kryesorë të kësaj konference përmendim vlerat humane, modelin e përbashkët të tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare si dhe besimin në një të ardhme të përbashkët njerëzore.

Kryetari i KMSH-së, z. Bruçaj, është shoqëruar nga Nënkryetari z. Bujar Spahiu, ku gjatë këtyre ditëve ata kanë zhvilluar disa takime me përfaqësues të tjerë fetarë, ku kanë ndarë modelin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare të vendit tonë.

Gjatë ditës së sotme pritet që Imami i madh Shejh  Ahmed al-Tajjib dhe Papa Françsku të takohen me krerët fetarë të ftuar nga e gjithë bota. Më tej ata do të vizitojnë Xhaminë e Madhe Shejh Zayed si dhe do të vazhdojnë më tej me itinerarin e takimit 3 ditor, takim i cili pritet të përfundojë nesër më 05 Shkurt 2019.

Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e veçantë të princit të kurorës Muhamed Bin Zayed.