Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në seancën përmbyllëse të trajnimit 3 ditor, me temë: “Mirëdrejtimi dhe Marketingu për Zhvillimin e Vakëfeve”.

Ky trajnim, në të cilin morën pjesë një numër i konsiderueshëm myftinjsh, imamësh dhe administratorësh nga vendi ynë, Kosova dhe Mali i Zi, u organizua nën kujdesin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga Komiteti i Bashkuar Kuvajtjan për Bamirësi në bashkëpunim me Institutin Islamik për Kërkime dhe Trajnime dhe Fondacionin Publik Awqaf.

Gjatë këtyre 3 ditëve të trajnimit, Përfaqësuesi i Bankës Islamike, z. Rehal Beladel, dhe Përfaqësuesi i Sekretariatit të Përgjithshëm të Vakëfeve të Kuvajtit, z. Isa el-Kadumi,  referuan në seanca të ndryshme mbi njohjen, aktualitetin, problematikat, menaxhimin, marketingun, investimin dhe aspekte të tjera rreth vakëfeve të institucioneve fetare.

Ndërsa në seancën mbyllëse, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, sëbashku me referuesit e lartpërmendur, ndanë certifikatat e pjesëmarrjes për të gjitha ata që u bënë pjesë e këtij trajnimi.