100 personalitetet shqiptare te kultures islame-kopertina

Në këtë botim special, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për herë të parë në këtë lloj, ka hartuar një enciklopedi të përbërë prej 100 personaliteteve të shquara shqiptare të kulturës islame, të cilët kryesisht janë dijetarë dhe prijës fetarë, por nuk mungojnë edhe myderrizë, profesorë katedrash universitare, udhëheqës politikë, deputetë, senatorë, ministra, mjekë, kryetarë parlamenti, kryetarë bashkish, liderë dhe udhëheqës të lartë të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, në trojet tona dhe diasporë. E përbashkëta e këtyre është se ishin të brumosur me besimin e lartë islam dhe me dashurinë për atdheun dhe shërbimin ndaj vendit dhe popullit shqiptar, por jo vetëm.

Lista e këtyre 100 personaliteteve është hartuar nga një grup pune, i cili ngriti një Këshill Botues për t’u marrë me hartimin e këtij projekti madhor, duke marrë për bazë dhe referencë artikuj dhe jetëshkrime të shumta të botuara kryesisht në gazetën “Drita Islame” të viteve 1992-1999, por edhe të revistave të famshme “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”. Krahas këtyre periodikëve, organe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është shfrytëzuar edhe një literaturë e pasur librash dhe botimesh të ndryshme, ku ndër ta mund të përmendim librin “Në kujtim të brezave”, me autorë Doktor Honouris Causa Faik Luli, Prof. Islam Dizdari dhe Nexhmi Bushati, si dhe Arkivin e Shtetit, Arkivin e Komunitetit Mysliman, si dhe të myftinive Tiranë, Shkodër, Dibër, Vlorë, Korçë, Durrës etj.