Përfaqësuese të Zyrës së Gruas, zhvilluan një takim me besimtaret e Fushë-Krujës ditën e shtunë më 27 dhjetor 2014.

Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, Fatma Karaj, në fjalën e saj foli mbi rolin e gruas në Islam. Sipas saj, Islami i riktheu dinjitetin e humbur gruas dhe e bëri atë  të barabartë me burrin dhe se gruaja është edukatorja e brezave dhe shoqërisë.

“Nëse do të rrisim fëmijë të shëndetshëm dhe një brez të ri sa më të mirëedukuar e me moral të lartë, duhet të ecim sipas Kuranit dhe sunetit të Profetit Muhamed a.s. Është detyra jonë si gra, nëna, që të edukojmë brezin e ri për një shoqëri të denjë me moral të lartë”, tha znj. Karaj.

Ndërsa, Nadia Lika, punonjëse e Zyrës së Gruas, u shpreh se të rejat e sotme i kanë modelet që duhet të ndjekin në jetë, dhe ato janë nënat e besimtareve, siç është Hatixhja, bashkëshortja e Profetit Muhamed a.s., shembulli më i përkryer.

“Çdo kohë e vështirë gjatë historisë ka  prodhuar heronjtë e vet e Hatixhja ishte një nga heroinat e ditëve të para të Islamit, por edhe sot, ajo është një heroinë, për vetë modelin që la pas, duke arritur majat e virtytit dhe fisnikërisë në shpirt”, tha ajo.

Ndërkohë takimi u hap më këndim Kurani nga punonjësja e Zyrës së Gruas, Ana Haxhiu.

IMG_4839IMG_4905 IMG_4833  IMG_4816