Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në bashkëpunim me Medresenë e Kavajës dhe Myftininë e këtij rrethi, organizuan ditën e shtunë, më 9 maj 2015, programin “Profetin Muhamed a.s., shembulli më i bukur”, në qytetin e Kavajës. 

Programi u hap me këndimin e ajeteve të kuranit famëlartë nga Elona Kaçuli, nxënëse në Medresenë e Tiranës.

Ndërkohë përgjegjësja e Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman, znj. Fatma Karaj, foli mbi jetën e Profetit, duke u fokusuar në aspektin e adhurimit.

“Historia e Profetit Muhamed a.s. është përvoja më e suksesshme që ka njohur historia. Profeti a.s., ka lënë një ndikim në mbarë njerëzimin, jo vetëm gjatë kohës në të cilën jetoi por edhe pas vdekjes së tij. Shembulli i tij i pashoq, sa i përket përkushtimit ndaj Allahut, është një busull orinetimi për mbarë myslimanët “, tha znj. Karaj.

Ndërsa, teologja Etleva Qinami, foli për mëshirën e profetit teksa nënvizoi se ai ishte i butë dhe i mëshirshëm me të varfrit, bashkëshorten, bonjakët, fqinjët dhe të tjerët, përfshi edhe armiqtë.

“Profeti ishte një simbol mëshire nga i cili patën përfituar të gjithë: besimtari, mohuesi dhe hipokriti. Ai, i mbushur plot e përplot me mëshirë shumë përtej dashurisë dhe dhembshurisë, ka ditur të ruajë mëshirën e tij universale nga çdo lloj ekstremizmi dhe nuk ka rënë kurrë në qëndrime të skajshme! “, tha znj Qinami.

Programi vazhdoi me recitim Kurani këndimin e ilahive nga nxënëset e Medresesë se Kavajës.

E pranishme në aktivitet ishte edhe nëndrejtoresha e Medresesë së Kavajës Sema Kazan, mësueset e kësaj shkolle si dhe dhjetëra nëna, gra dhe vajza.

Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej.

zyra gruas kavaje (3)zyra gruas kavaje (2)

zyra gruas kavaje (1)   zyra gruas kavaje (4)