Myftinia Sarandë, zhvilloi ditën e djeshme simpoziumin me temë: “Ora e devotshmërisë”

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Myftiu i Sarandës, njëkohësisht edhe organizatori i këtij aktiviteti, z. Bledar Mullaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiu i Delvinës, z. Bledar Ali, Myftiu i Gjirokastrës, z. Aorel Senja, si dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Sarandës, z. Mullaj, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në devotshmërinë si fenomen e cila arrin shkallën më të lartë gjatë muajit të Ramazanit në të cilin ndodhemi. Sipas tij, qëllimi i agjërimit në vetvete është që besimtari të ngrihet në shkallën më të lartë të përkushtimit ndaj fesë së Allahut, Krijuesit të Gjithësisë.

Më tej, të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Kryetari Spahiu, i cili ndau me ta ajete të shumta dhe porosi të Profetit Muhamed (a.s) në të cilat na dalin në pah cilësitë e të devotshmëve, të përkushtuarve ndaj urdhrave të Allahut (xh.sh).

“Të devotshëm janë ata që janë larguar prej asaj që e ka ndaluar Allahu dhe njëherazi zbatojnë urdhrat dhe obligimet e Tij, të devotshëm janë ata që largohen prej gjynaheve, janë ata që ruhen nga shirku (idhujtaria), ndërsa adhurimin e kanë të sinqertë ndaj Allahut të Lartësuar. Të devotshëm janë ata që e kanë frikë, e respektojnë dhe i nënshtrohen plotësisht Allahut dhe zbatojnë urdhrat e Tij.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Ky simpozium vijoi më tej me referimin e myftijve të nderuar të Delvinës dhe Gjirokastrës, të cilët gjithashtu ndanë mesazhe të vyera në lidhje me temën në fjalë.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti, të pranishmit u bënë pjese e iftarit të organizuar nga Myftinia Sarandë me këtë rast.