Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite dhe nën kujdesin e Bashkisë Tiranë dhe Ambasadës së Arabisë Saudite në vendin tonë, zhvilluan ceremoninë hapëse të ekspozitës dy javore me titull: “Kontributi i Mbretësisë së Arabisë Saudite në shërbim të Islamit dhe Myslimanëve”.

Në këtë ceremoni, të zhvilluar ditën e sotme pranë ambienteve të ekspozitës, të ngrituara në sheshin “Skënderbej”, ishin të pranishëm: H. Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Fajsal Ghazi Hifdhi, Ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë, z. Andi Seferi, Nënkryetar i Bashkisë Tiranë, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, përfaqësues nga trupa diplomatike të akredituar në Tiranë, intelektualë dhe studiues të ndryshëm nga vendi e më gjerë.

Pasi prenë në mënyrë simbolike shiritin e inaugurimit në hyrje të ambienteve të kësaj ekspozite, të lartëpërmendurit vizituan nga afër stendat e saj, në përbërje të të cilave ekspozoheshin elementë të ndryshëm të kulturës arabe.

Kjo ceremoni u hap me leximin e disa ajeteve të Kuranit Famëlartë, për të vijuar më tej me fjalën përshëndetëse të ambasadorit të Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Ghazi Hifdhi, i cili pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ndau me ta rëndësinë e një organizimi të tillë madhor, në njohjen dhe promovimin e kulturës Arabe. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e kontributit të vazhdueshëm të ofruar nga Arabia Saudite në ndëritmin e urave të bashkëpunimit mes vendeve dhe popujve.

Ndërsa kryetari Spahiu, në fjalën e tij, veçoi kontibutin e vazhdueshëm të Arabisë Saudite në vendin tonë, jo vetëm në aspektin kulturor, dëshmi e së cilës është edhe ky organizim i sotëm, por edhe në atë fetar, humanitar e social.

“Kushdo që mediton rreth historisë së ndritur të Mbretërisë së Arabisë Saudite do të zbulojë se për çdo ditë ajo ka një gjurmë mirësie për hir të së cilës vlen të ngrihen njëmijë ekspozita dhe muzeume.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej, të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe nënkryetari i bashkisë Tiranë, z. Seferi, i cili e veçoi Tiranën si një qytet multikulturor në të cilin bashkëjetojnë kultura e kombësi të ndryshme. Sipas tij është pikërisht ky aspekt që e bën atë më të fortë e më të bashkuar. Ai po ashtu ftoi qytetarët ta vizitojnë dhe të njihen nga afër me atë çka ofron kjo ekspozitë në tablon e madhe kulturore që karakterizon Tiranë.

Një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj ceremonie ishte ndarja e disa dhuratave simbolike për të lartëpërmendurit.

Në fund, ekspozita u hap për qytetarët e shumtë që ndaluan të kalojnë disa çaste në ambientet e saj.