Komiteti Shqiptar i Helsinkit zhvilloi sot konferencën rajonale me temë: “Toleranca ndërfetare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, kjo konferencë vjen në kuadër të iniciativës “Drejt një bashkëpunimi më të madh ndërkulturor, ndërfetar dhe ndërsocial në Ballkanin Perëndimor”.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerë të shoqërisë civile në rajon, përfaqësues të akademive përkatëse, si dhe përfaqësues të botës së medias.

Pas përfundimit të sesionit të përshëndetjeve, fjalën e morën krerët e komuniteteve fetare të vendit tonë, ku ndër ta ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar Spahiu.

Pasi falënderoi Komitetin e Helsinkit për organizimin e kësaj konference dhe të pranishmit për pjesëmarrjen, ai u ndal në rëndësinë e dialogut në funksion  të  rritjes  së  besimit  reciprok  midis anëtarëve të feve të ndryshme dhe parandalimit të konflikteve sociale.

“Rëndësia e dialogut reciprok midis feve në Shqipëri është tashmë e konfirmuar ndër vite si një nga kolonat qendrore të ekzistencës e mirëmbajtjes së kohezionit social në shoqërinë shqiptare, qysh prej fillimit të proceseve shtetformuese. Unë e kam theksuar edhe herë të tjera, ne, krerët e besimeve fetare jemi ata që japim e duhet të japim shembullin të parët në këtë drejtim.” – u shpreh z. Spahiu gjate fjalës tij.

Konferenca vijoi punimet e saj në sesione të mëtejshme, ku referuan një sërë personalitetesh dhe sollën për të pranishmit tema të tilla si: “Roli i shoqërisë civile në promovimin e dialogut ndërfetar”, “Kontributi i medias në promovimin e paqes sociale, sigurisë dhe respektit ndërfetar”, etj.

Ndër pjesëmarrësit e kësaj konference veçojmë: Amdasadorin e Hollandës në Shqipëri, z. Reinout Vos, Kryetarin e departamentit të drejtave të njeriut pranë OSCE-së në Shqipëri, z. Claudio Pala, Drejtoreshën e Koordinimit pranë Qendrës së Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, Përfaqësuesin e Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit të Helsinkit, z. Kujtim Çashku, etj.