Në vazhdën e programit të hytbeve dhe ligjëratave të përjavshme, nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu është ndalur këtë të premte në Xhaminë e Kamzës, ku ka folur për sfidat e qëndrimit në rrugën e drejtë, favoret dhe mirësitë që Allahu i ka dhënë njeriut.

Gjatë hytbes së xhumasë nënkryetari Spahiu u shpreh se Allahu i ka krijuar njerëzit me fuqinë e tij dhe ka vënë si synim t’u tregojë atyre rrugët e lumturisë së dy botëve.

“Parimet, urdhrat dhe ndalimet që do t’i çojnë njerëzit në rrugët e lumturisë, ua ka bërë të njohura njerëzve përmes personave të zgjedhur nga radhët e tyre, domethënë me anë të pejgamberëve. Profetët kanë qenë komunikuesit e së vërtetës me fjalë dhe zbatuesit konkret të mesazhit hyjnor në praktikë. Të qëndrosh fort në rrugë të drejtë do të thotë që në besim, fjalë, veprim, ushqim dhe në çdo sjellje tonën të qëndrojmë larg teprimeve dhe plogështive; do të thotë të ndjekim rrugën e pejgamberëve, dijetarëve dhe njerëzve të devotshëm që urhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja.”, tha z. Spahiu.

Më tej nënkryetari Spahiu u shpreh se në ditët e sotme kjo botë është kthyer në një panair prej qindra idesh e rrymash ideore dhe deri diku është e vështirë të dallohet se në ç’shkallë janë ngatërruar me njëra-tjetrën e vërteta dhe e gabuara dhe se si e gabuara ka marrë pajmen e së vërtetës, ndaj edhe besimtarëve u bie përgjegjësia më e madhe, për ta shpejguar dhe për të qëndruar në rrugën e drejtë.

5 shkurt 2016

IMG-20160209-WA0015 IMG-20160209-WA0019 IMG-20160209-WA0032