Natën që lidh ditën e 28 dhe të 29 të marsit hyn muaji i shtatë i kalendarit hënor, Rexhebi, i cili pasohet nga muaji Shaban, i quajtur njëkohësisht “Shehrullah el-Muadham” (Muaji Madhështor i Allahut) dhe, në fund, vjen muaji i bekuar Ramazan. Kjo periudhë kohore ndryshe quhet “Tre muajt”.

Vlerësimi, favorizimi dhe përzgjedhja e diçkaje, është një çështje që i takon Allahut xh.sh. Është në dorën e Tij që një vendi të caktuar t’i japë prioritet ndaj vendeve të tjera. Allahu xh.sh. e ka vlerësuar Qaben më shumë se çdo xhami tjetër. Po kështu, Ai ka lartësuar dhe privilegjuar profetët dhe të dërguarit e Tij nga të gjithë njerëzit e tjerë.

Po ashtu ka privilegjuar disa profetë nga disa të tjerë. Ka vlerësuar të xhumanë ndër ditët e javës, etj. Si gjithë këto, Allahu ka përzgjedhur muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan ndër të gjithë muajt e tjerë. Këtë na e tregon vetë Profeti Muhamed a.s. me fjalët e tij kur thotë: “Muaji Rexheb është i Allahut, muaji Shaban i imi dhe Ramazani është i umetit (popullit) tim”, si dhe “Zot! Na begato në muajt Rexheb e Shaban, dhe bëj të mundur ta arrijmë Ramazanin.” Po ashtu, Allahu në këta muaj ka shpërndarë netët e shënuara Regaibin, Miraxhin, Beraetin dhe Kadrin, si perla të ndritshme mes netëve të tjera. Ato janë si stacione, që na rikujtojnë herë pas here rëndësinë e periudhës kohore ku gjendemi. Ndërkohë që, edhe praktika e Profetit Muhamed a.s. na dikton vlerën e veçantë të këtyre tre muajve, sepse ai e shtonte adhurimin me hyrjen e Rexhebit.

Deri më sot janë thënë shumë gjëra në lidhje me Tre Muajt dhe netët e mira. Është e nevojshme që njerëzit të lexojnë dhe të dëgjojnë rreth tyre. Sidoqoftë, më e rëndësishmja është që gjithsecili prej nesh të mos mjaftohet me lexime sipërfaqësore, por të mundohet që këto njohuri t’i kuptojë dhe përvetësojë në maksimum, si dhe t’i jetojë duke i praktikuar ato; sepse nëse nuk do të shfaqim përpjekjen e duhur për të kuptuar diçka, edhe shkrimet më të bukura do të na duken thjesht si fjalë të përzgjedhura dhe fjali të mirëradhitura. Ndërkohë që qëllimi nuk është ky. Prandaj, nëse dëshirojmë të fitojmë prej mirësive të këtyre tre muajve, në radhë të parë duhet të njohim që ato i përmbajnë këto vlera.

Prandaj besimtari duhet ta ndiejë shumë thellë këtë periudhë. Ai thuajse do të rexhebizohet, do të shabanizohet dhe do të ramazanizohet. Përndryshe, për sa kohë që ai jeton si çdo ditë tjetër e vitit, edhe këto ditë të bekuara do të kalojnë të tilla. Sipas vlerësimit, vjen shpërblimi.

Në lidhje me shfrytëzimin e këtyre tre muajve dhe netëve të mira ka shumë adhurime që mund të kryejmë dhe mënyra të ndryshme se si të veprojmë. Këtu duhet veçuar patjetër agjërimi. Sipas transmetimeve të shumta Profeti a.s. pas muajit Ramazan agjëronte më tepër në Rexheb dhe Shaban. Ai agjëronte shumë kryesisht në muajin Shaban, saqë thuajse braktiste disa ditë për ta dalluar atë nga Ramazani.

Një praktikë tjetër adhurimore është falja e namazeve suplementare. Besimtari, brenda mundësive, krahas namazeve sunet të pesë vakteve, mund të falë edhe nafile të tjera si namazi i duhasë (paradites), namazi euuabin (pas akshamit), namazi tehexhud (i natës), etj. Përderisa falja e namazeve nafile është rruga e dytë për t’iu afruar Allahut,  pas kryerjes së namazeve farz, atëherë s’ka përse të mos vlerësohen këta tre muaj me të tilla adhurime.

Lutja është një element tjetër thelbësor. Në fakt, ajo është thelbi i çdo adhurimi, është qëllimi i krijimit të njeriut, si dhe shprehja më e drejtë e adhurimit ndaj Allahut. Nëpërmjet saj besimtari rigjallëron veten, rifreskon mendjen dhe ndriçon shpirtin e tij. I lutet Allahut për veten dhe i kërkon falje për gabimet që ka kryer; i lutet Allahut për familjen e tij, si dhe për mbarë njerëzimin.

Allahu dëshiron që robin e vet ta shohë në xhenet, prandaj i ka vënë atij në dispozicion forma të ndryshme se si të arrijë faljen dhe kënaqësinë hyjnore. Kjo periudhë trimujore është koha më e përshtatshme për të arritur këtë synim, mbi të cilin s’ka qëllim më të lartë.

Një person që ka varësi ndaj veseve, ka mundësinë më të mirë për të hequr dorë prej tyre, pasi ditët dhe netët e Tre Muajve janë një rast unik.

Në radhë të parë familja është ajo që meriton një vëmendje të veçantë. Çdo pjesëtar i familjes duhet ta dallojë që atmosfera në shtëpi dallon nga ditët e tjera.

Fëmijët tanë duhet të rriten pikërisht në një ambient të tillë shpirtëror. Prandaj s’duhet neglizhuar edhe marrja e dhuratave kuptimplota, si dhe t’i sjellim ata në ambientet e ngrohta të faltoreve.

Nëse jemi grindur me dikë, të përfitojmë nga rasti i kësaj kohe të begatë për t’u pajtuar, e nëse kemi gabuar ndaj dikujt, të dimë t’i kërkojmë të falur e t’i marrim hallallikun.

Kjo do të bëjë që të përfshihemi nga një atmosferë e mrekullueshme, prej së cilës nuk do të donim të ndaheshim asnjëherë. Shpirti ynë thotë: “Hel min mezijd – A nuk ka edhe më tepër?!”

Prandaj duhet të kemi parasysh që kjo është një mundësi unike për të braktisur mëkatet e shkuara, e, duke reflektuar me autokritikë e vetëllogari, të përgatitemi me plot energji për ditët që na presin.

Paçim një tremuajsh të begatë!

Elton Karaj