Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u zhvillua mbrëmjen e djeshme në xhaminë e qendrës në qytetin e Kavajës, duke filluar kështu sezonin e ri të referimeve me tematika të ndryshme fetare me besimtarët myslimanë në mbarë vendin.

Programi u hap me leximin e disa ajeteve Kuranore menjëherë pas faljes së namazit të akshamit, ku të pranishëm ishin dhjetëra besimtarë të këtij qyteti.

I ftuari i parë në këtë cikël takimesh me besimtarët ishte Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, i cili referoi mbi temën: “Në prag të muajit të begatë të Ramazanit”.

Gjatë fjalës së tij ai u ndal në shembullin e Profetit Muhamed a.s, si shembullin ku të gjithë ne duhet të bazohemi për ta pritur muajin e begatë të Ramazanit.

“Muaji Rexhep dhe Shaban në të cilin ndodhemi janë pararojë e muajit të Ramazanit, që të gjithë ne të jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitemi për të trokitur në muajin e begatë që po afron, në mënyrë që të mos na ikë asnjë sekondë bosh, por përkundrazi të bëjmë sa më shumë punë të mira e të hajrit në mënyrë që të fitojmë kënaqësinë e Allahut”- tha ai.

Më tej, fjalën e mori Myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në raportin dhe lidhjen që duhet të ketë besimtari me Krijuesin e Gjithësisë, veçanërisht gjatë këtyre muajve.

“Besimtari i zgjedh mirë punët dhe vepron vetëm ato ku ndodhet kënaqësia e Allahut. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai forcon raportin dhe lidhjen me Krijuesin dhe manifeston dashurinë dhe përkushtimin ndaj Tij”, u shpreh z. Leçini.

Programi vazhdoi më tej me dua dhe pyetje-përgjigje nga besimtarët e pranishëm.