Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmë iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë presidenti i zgjedhur, z. Ilir Meta, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë të vendeve të  ndryshme të akredituar në Tiranë, njerëz në nevojë, individë me aftësi të kufizuara, si dhe shumë figura të jetës fetare, politike e shoqërore.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, i uroi të pranishmëve mirëseardhjen duke u lutur që Ramazani i këtij viti të sjellë më shumë begati, paqe e mirësi në mesin e shqiptarëve.

“Ky muaj i begatë na sjell në vëmendje kujdesin dhe përkushtimin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare. Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, të respektit ndaj njëri-tjetrit, vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.

Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj tryeze, institucioni i myslimanëve shqiptarë bashkon figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në muajin më të rëndësishëm të kalendarit islam.