ZK1A0339

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmë iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ministrja e Inovacionit, Milena Harito. kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu dhe ambasadorë të vendeve të  ndryshme të akredituar në Tiranë, si dhe shumë figura të jetës fetare, politike e shoqërore.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, i uroi të pranishmëve mirëseardhjen duke u lutur që Ramazani i këtij viti të sjellë më shumë begati, paqe e mirësi në mesin e shqiptarëve.

“Ramazani është muaji i edukimit dhe respektit ndaj njerëzve që na rrethojnë. Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin, vëmendjen dhe dashurinë që duhet të kemi për njerëzit që na rrethojnë, në veçanti për ata që kanë nevojë për përkrahjen tonë në përmbushjen e nevojave të tyre jetike, duke u bërë në këtë mënyrë shkak që edhe në shoqërinë tonë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja.”, tha z. Bruçaj.

Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj tryeze, institucioni i myslimanëve shqiptarë bashkon figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në muajin më të rëndësishëm të kalendarit islam.

6 qershor 2016

ZK1A0389 ZK1A0417  ZK1A0457ZK1A0347ZK1A0371ZK1A0447ZK1A0464ZK1A0465