Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me qendrën Mbreti Selman për Bamirësi dhe Ndihma Humanitare, dhe me koordinimin e ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, zhvilluan ditën e djeshme në ambientet e Medresesë së Tiranës, ceremoninë e inaugurimit të projektit të dhurimit të 25 ton hurmave arabe nga Mbreti i Arabisë Saudite, Selman Bin AbdulAziz.
 
Në këtë ceremoni, morën pjesë, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, disa përfaqësues nga qendra Mbreti Selman, Drejtori i Medresesë Tiranë, z. Ndriçim Gjimi si dhe dhjetëra besimtarë përfitues të pakove me hurma.
 
Kryetari Spahiu shprehu vlerësimet dhe falenderimet më të sinqerta për të gjithë titullarët e lartëpërmendur që i dhanë jetë këtij projekti.
 
Në fjalën e tij të rastit, Ambasadori Hifdhi, pasi falënderoi të gjitha palët që bënë të mundur realizimin e kësaj nisme, u shpreh se projekte të tilla të vazhdueshme janë tregues i marrëdhënieve të forta ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.