Drejtues të lartë të shtetit dhe personalitete të jetës fetare, politike e shoqërore kanë vizituar sot selinë e Komunitetit Mysliman për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, përmes një mesazhi drejtuar Kryetarit Skender Bruçaj uroi të gjithë myslimanët në këtë ditë të veçantë për ta. “Gëzuar këtë festë të madhërishme që na afron me njëri-tjetrin kur fëmijëve u jepen dhurata, ushqimi ndahet me fqinjin dhe fukarain, i ngopuri kujton të uriturin, pasunari fukarain, i shëndetshmi të sëmurin, i suksesshmi hallexhiun, dhe të gjithë së bashku kujtojmë Zotin”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e kreut të shtetit.

Kryeministri i vendit, z. Edi Rama uroi drejtuesit e institucionit dhe besimtarët, duke vlerësuar lart sakrificën e tyre. Ai premtoi se shumë shpejt do të marrë zgjidhje edhe problemi i xhamisë së shumëpritur nga myslimanët e kryeqytetit dhe ata shqiptarë.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, në mesazhin e tij theksoi se kjo festë ka në thelb të saj sakrificën dhe solidaritetin me të tjerët. “Kjo ditë nxit për më shumë falje, tolerancë, mirëkuptim dhe për të treguar një solidaritet më të madh me ata qytetarë që ndihen më në nevojë dhe që kanë me shumë nevojë për mirësi dhe solidaritet. Jemi krenarë për bashkëjetesën dhe harmoninë tonë të vyer, e cila është meritë e veçantë e komuniteteve dhe e frymës së tolerancës që ato përçojnë”, u shpreh kryeparlamentari Meta.

Mesazhe urimi përcollën edhe zv/kryeministri Niko Peleshi, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqja, ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet z. Ilir Hoxholli, deputetë, politikanë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë.

Në emër të Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj z. Lulzim Basha, urimet për besimtarët i përcolli z. Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar të kësaj force politike. Mesazhe urimi përcolli edhe kreu i PDIU-së z. Shpëtim Idrizi.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kreu i Kishës ortodokse Anastas Janullatos, personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh besimtarësh e qytetarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë ata që morën pjesë në pritje, si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj dite të shënuar.

4 Tetor 2014

ZK1A0536ZK1A0626ZK1A0748ZK1A0406ZK1A0695ZK1A0398

ZK1A0259 ZK1A0273