15936528_1280157055378180_7949231722952414247_o

25 vjet më parë, më 10 janar 1992, hapi dritaren e saj gazeta dyjavore, më pas e përmuajshme “Drita Islame”, prej së cilës filloi të rrezatojë një dritë, e cila nuk ngroh trupin, por depërton brenda tij në shpirt e në zemër, për t’i ushqyer ato me një ushqim më të vlefshëm dhe më jetëgjatë se sa ai trupor, si dhe për t’i pajisur me një energji pozitive, me qëllim që produkti dhe impakti i saj të ndihet përditë.
Ashtu si çdo krijesë e gjallë, e cila lind e vogël dhe rritet e formësohet me kalimin e viteve, edhe “Drita Islame”, pas një periudhe 20 vjeçare në formatin e një gazete, gjatë së cilës u brumos, u formësua dhe u zgjerua në shumë drejtime, erdhi koha për të kaluar në një stad më të avancuar, për t’u prezantuar në një tjetër format, nga gazetë në revistë të përmuajshme, dhe kjo ndodhi pikërisht në janar të vitit 2012.
Urimin e parë të mirëseardhjes, “Drita Islame” e mori nga pishtari i ringjalljes së besimit islam në vendin tonë, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Hafiz Sabri Koçi. Ashtu si fëmijët të cilët në hapat e tyre të parë kanë vështirësi në të ecur, derisa të arrijnë të ruajnë ekuilibrin dhe të mos rrëzohen, të fitojnë siguri në vetvete, si dhe të jenë të gatshëm për të ecur jo vetëm në rrugë të sheshta dhe të asfaltuara, ashtu edhe “Drita Islame” në rrugëtimin e saj 25 vjeçar ka hasur vështirësi të shumta dhe nga më të ndryshmet. Ashtu siç njerëzit të cilët e presin me padurim ushqimin kur janë të uritur dhe ujin kur janë të etur, ashtu edhe “Drita Islame” erdhi në arealin shqiptar, pikërisht në kohën kur ushqimi i besimit mungonte më shumë se kurrë, pikërisht atëherë kur shqiptarët patën më shumë nevojë për të sesa ndonjëherë më parë.
Ringjallja e besimit islam nuk mund të kryhej vetëm nëpërmjet ligjëratave dhe predikimeve në xhami, kështuqë duheshin gjetur mënyra dhe kanale të tjera komunikimi me popullin, që mesazhi islam t’u përçohej edhe atyre që ende nuk ishin bekuar me ardhjen në xhami. Për këtë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vendosi për t’i prerë shiritin e inaugurimit rrugëtimit të kësaj “Drite”, të veçantë në llojin e saj.
Me një tirazh të kënaqshëm, prej 25 vitesh, “Drita Islame” vijon udhën e saj në çdo cep të Shqipërisë, në çdo myftini, medrese, xhami, librari islame apo institucion tjetër me karakter fetar dhe jo vetëm; dhe shërben si një dritare udhëzuese për në rrugën e drejtë për këdo që hap fletët e saj. Interesi i madh për të, nxiti stafin e saj që të mendojë rreth zgjerimit të hartës gjeografike për dërgimin e këtij hambari të begatë tek të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, kështuqë hapi mundësinë e abonimit për shtetet fqinje si: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë. Vitet e fundit, me përparimin e teknologjisë, ajo është pranë çdokujt që flet shqip rreth e përqark globit nëpërmjet adresës www.dritaislame.al.
Shumëkush nëpërmjet kësaj reviste është njohur më nga afër me Krijuesin e Universit dhe me të vërtetat absolute; shumëkush është larguar nga veset e liga, pasi ajo që ka lexuar në faqet e këtij fanari ndriçues, nuk ka qenë thjesht një lexim sa për të kaluar kohën, por një lexim me sytë e një zemre dhe të një mendjeje të lodhur nga e liga dhe e mbrapshta dhe e etur për pak mirësi, për pak qetësi shpirtërore dhe për një strehë të sigurt pendimi dhe faljeje.
“Drita Islame” është një paketë optimale, adekuate dhe e përshtatshme, e cila ofron këshillat dhe udhëzimet më të mira, me zbatimin e të cilave njeriu bëhet më i denjë për familjen, më i dobishëm për shoqërinë dhe për kombin në tërësi. Ofertat e kësaj pakete sfidojnë çdo lloj oferte tjetër të natyrave të ndryshme, pasi shkrimet e saj i dedikohen problemeve të shumta dhe të llojllojshme me të cilat përballet individi dhe shoqëria në kohët e sotme, si dhe jep recetat e duhura për zgjidhjen e tyre. I jep shumë rëndësi moralit dhe virtyteve të cilat e ngrenë individin në piedestal, si dhe shoqërinë e bëjnë më solide, më humane, më të ndjeshme dhe më vëllazërore.
Sigurisht që mësimet e nxjerra me shumë delikatesë e profesionalizëm nga përsiatja e thelluar mbi ajetet kuranore dhe tradita profetike e të Dërguarit Muhamed a.s., zënë një pjesë të rëndësishme të kësaj të përmuajshmeje kulturore, edukative dhe informative, por nuk mungojnë edhe shkrime nga fusha të tjera.
Dhjetëra figura të shquara të kulturës dhe të fesë në Shqipëri dhe jashtë saj kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me kontributin e tyre të vyer që kanë përcjellë, duke mos kursyer asgjë nga thesari i pashtershëm i dijeve të tyre për lexuesin shqiptar. Revista i ka hapur dyert edhe emrave të rinj që dallohen me penën e tyre në çështje të ndryshme: fetare, sociale, kulturore, edukativo-arsimore etj. Të gjitha shkrimet shoqërohen edhe me dizajn të përshtatshëm sipas temës apo çështjes që trajtohet, në mënyrë që të bëhen më të prekshme dhe më tërheqëse për çdo lexues. “Drita Islame” nuk bën dallim, pasi ajo i drejtohet të gjithëve, pa diskriminuar askënd. I adresohet të shkolluarit dhe intelektualit, ashtu siç i drejtohet edhe dikujt tjetër që ka kryer arsimin bazë apo edhe më pak. Pra, me një fjalë mund të themi se aty e gjen veten gjithkush. Identiteti i saj tashmë është i qartë për këdo që e ka parë dhe shfletuar më së paku një herë.
Mosha në të cilën njeriu posedon energjitë më të mëdha, sigurisht që është rinia, ashtu edhe “Drita Islame”, kjo 25 vjeçare, me vrullin dhe energjinë e saj pozitive, ecën me hapa të shpejtë, ashtu siç edhe koha e kërkon, për t’iu përshtatur çdo vendi, kohe, realiteti, situate dhe, mbi të gjitha, çdo njeriu, pasi ai është më kryesori në fokusin e saj.
Është shumë e njohur thënia: Po rregullove njeriun, ke rregulluar botën. Ky është edhe misioni i revistës në rrugëtimin e saj, për të cilin shpresojmë të mos ketë fund, për aq kohë sa njeriu të ketë nevojë për t’u ndriçuar me nurin e saj. Duke përgëzuar të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj reviste, që ajo të dalë në formën më të mirë, i urojmë jetë të gjatë dhe kandili i saj mos u shuajt kurrë.

15941343_1280159168711302_9186302717040296236_n