Në kuadër të muajit të bekuar të Ramazanit, Myftinia e Vlorës, shtroi një darkë iftari për besimtarë dhe personalitete të ndryshme të këtij qyteti.

I pranishëm në këtë tryezë iftari ishte Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiu i Vlorës, z. Bilal Bodlli, Kryetari i Bashkisë, z. Dritan Leli, drejtues institucionesh, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, personalitete dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

Në fjalën e tij hapëse, Myftiu z. Bodlli, shprehu falënderimet e tij për pjesëmarrjen e të pranishmëve dhe u ndal në atmosferën që solli ky muaj i bekuar në qytetin e Vlorës.

Më tej, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, u ndal në vlerat që sjell ky muaj i begatë në jetën e të gjithë besimtarëve. Sipas tij Ramazani është simbol i dashurisë, respektit, sakrificës, durimit, vëllazërisë, bashkimit e shumë virtyteve të tjera.

“Agjërimi, ky akt kaq i pastër e i sinqertë i njeriut, na kujton se kemi nevojë kurdoherë të kujtojmë Zotin me të gjitha të mirat që Ai na ka dhuruar, dhe me sofrën e iftarit arrihet kulmi i kësaj lidhjeje sublime.”- tha ai.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Leli,  i cili falënderoi Myftininë jo vetëm për organizimin e kësaj tryeze iftari por edhe për kontributin e vazhdueshëm që ajo jep në mbarëvajtjen e qytetit bregdetar.