Në kuadër të natës së mirë të Israsë dhe Miraxhit, Myftinia Pukë, zhvilloi simpoziumin me titull: “Vlerat e muajve dhe netëve të mira”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Taulant Bica, Myftiu i Pukës, z. Gëzim Kopani, Myftiu i Kurbinit (Laç) dhe Lezhës, z. Emirjon Vathaj, si dhe dhjetëra besimtarë e besimtare të qytetit të Pukës.

Ky simpozium u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami Erjon Laçi, për të vijuar me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Pukës, z. Kopani, i cili ndër të tjëra tha se netët e mira dhe muajt e mirë, siç është muaji ramazan, janë për njerëzit qëllim afrimi me Krijuesin e Gjithësisë, duke e ilustruar fjalën e tij me shembuj të shumtë nga tradita Profetike.

Ndërsa nënkryetari Bica, shprehu kënaqësinë e tij në organizimin e këtij simpoziumi kaq domethënës në rëndësinë që duhet tu japim dhe ti përcjellim këto 3 muaj të begatë në të cilët ndodhemi.

“Kam kënaqësinë që ndodhem sot në qytetin e Pukës në këtë takim të organizuar nga Myftinia,  ndaj vlersim të sinqertë për Myftiun dhe stafin e tij në organizimin e aktivitete të tilla, aktivitete të cilat u shërbejnë të gjithë besimtarëve.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më pas aktiviteti vijoi me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Kurbinit dhe Lezhës, z. Vathaj, për tu mbullur me shpërndarjen e disa literaturave islame.