Në kuadër të netëve të mira, Myftinia Pukë zhvilloi në qytetin e Pukës simpoziumin me temë: “Mesazhe Profetike.”

Aktiviteti filloi me himnin kombëtar, versete nga Kur’ani Famëlartë dhe shfaqja e një dokumentari mbi jetën e Profetit Muhamed a.s.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga, myftiu i Pukës, z. Gëzim Kopani, nënkryetari i Bashkisë Fushë Arrëz, z. Ndue Doda, drejtori i Arsimit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Oltion Kola, si dhe intelektualë e besimtarë të qytetit të Pukës.

Në fjalën e tij nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga, shprehu vlerësimet më të larta për punën e sinqertë, të palodhur dhe kualitative të Myftinisë së Pukës.

“Zoti e ka vlerësuar shumë njeriun, robin e tij. Ai nuk është Zoti i dënimit, por është Zoti i mëshirës dhe i faljes. Allahu i jep pafund mundësi njeriut që ai ta njohë atë. Feja Islame i shërben njeriut për të risjellë në vëmendje dashurinë që Allahu ka për të. Tre muajt janë mundësi të një rifreskimi shpirtëror”.

Gjithashtu nënkryetari i KMSH-së i kushtoi një rëndësi të veçantë respektit të prindërve, moralit dhe të drejtës.

Myftiu i Pukës, z. Gëzim Kopani tha se netët e mira dhe tre muajt janë një mundësi e mirë për besimtarët që të përgatiten për pritjen e Ramazanit.

“Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të netëve të mira, të cilat vijnë para muajit Ramazan. Këto netë të mira janë një mundësi që myslimanët të përgatiten për pritjen e muajit Ramazan me adhurime dhe punë të mira. Myftinia e Pukës i ka kushtuar vëmendje aktiviteteve dhe mësimeve të fesë islame, me qëllimin që të nxjerrim një rini të shëndetshme, që e njeh Zotin, janë të dashur, ndihmues dhe kontribuues në përparimin e kombit”, tha ndër të tjera myftiu i Pukës.

Nënkryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, z. Ndue Doda, shprehu nderimin dhe respektin për drejtuesit fetar, të cilët po punojnë pa reshtur për edukimin e njerëzve përmes rrugës së Zotit.

“Sot pasuria më e madhe e jona si komb dhe në veçanti komuniteti i rrethit të Pukës përveç besimeve fetare që i kemi dhe i gëzojmë; është edhe bashkëjetesa fetare, një fenomen që na ka zili edhe bota. Kjo vjen si rezultat i bashkëjetesës fetare. Qytetet dhe fshatrat tona kanë besime të ndryshme fetare dhe secilit i jepet mundësia të ndjejë gëzimin e festës së besimit tjetër fetar. Nderim dhe respekt shprehim”, tha ndër të tjera z. Doda.

Simpoziumi solli në vëmendje të të pranishmëve rëndësinë e netëve të mira dhe tre muajve të bekuar.

25 mars 2017

Bashkëngjitur gjeni fjalimin e plotë të nënkryetarit të KMSH-së, z. Gazmend Aga:

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=0WJWzfjWzqA&t=270s” width=”560″ height=”315″]