Me rastin e 28-29 nëntorit Myftinia e Fierit organizoi simpoziumin me temë: “Kontributi i prijësve mysliman në shtetformimin e shtetit Shqiptar”.

Kjo konferencë kishte për qëllim pasqyrimin e kontributit të vyer të prijësve mysliman të cilët sakrifikuan gjithçka për përparimin e kombit.

Në konferencën e zhvilluar ishin të pranishëm, Myftiu i Fierit, z. Taulant Bica, nënkryetari i KMSh-së, z. Bujar Spahiu, rektori i Kolegjit Universitar Bedër, z. Ferdinand Gjana, nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, kryetari i Këshillit Bashkiak të Fierit, përfaqësuesi i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Servet Gurra, përfaqësues të komuniteteve fetar, historian, myftinj të rretheve, intelektualë dhe qindra qytetarë të Fierit.

Nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu u shpreh se prijësit mysliman kanë qenë faktorë të rëndësishëm në forcimin dhe konsolidimin e kombit, duke ndihmuar në formësimin e vetëdijes kombëtare.

“Në çdo lëvizje e përpjekje mbarëkombëtare, sheh që një rol të rëndësishëm kanë luajtur rilindësit e mëdhenj shqiptarë, ku në të shumtën ishin prijës myslimanë me detyra fetare që nga imamë xhamish e deri te drejtues të lartë si myfti, kryemyfti, kadi e myderriz, ku në kushte e rrethana të vështira punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe në forcimin dhe konsolidimin e tij, duke ndihmuar në formësimin e vetëdijes kombëtare të popullit tonë”, tha ndër të tjera Spahiu.

Në fjalën e tij përshëndetëse myftiu i Fierit falënderoi pjesëmarrësit për pranimin e ftesës the theksoi rëndësinë e njohjes së prijësve mysliman që kanë kontribuar në shtetformimin e shtetit Shqiptar.

“Prijësit mysliman Shqiptar, por edhe klerikët e feve të tjera për gjatë historisë kanë dëshmuar shembullin e unitetit, respektit ndaj njëri-tjetrit, paqes dhe stabilitetit. Ata kanë shërbyer si faktorë të rëndësishëm frymëzimi për brumosjen e ndjenjave të pastra të besimit, atdhedashurisë dhe solidaritetit”, tha ndër të tjera z. Bica.

Kryetari i Këshillit Bashkiak vlerësoi simpoziumin dhe tha se pasqyrimi i figurave të rëndësishme që kanë kontribuar në formimin e shtetit Shqiptar ka një rëndësi të veçantë.

“Kjo është një mënyrë e mirë që qytetarët të informohen më shumë mbi jetën dhe veprën e këtyre patriotëve”, tha ndër të tjera kryetari i Kwshillit Bashkiak.

Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar Bedër falënderoi myftininë e Fierit për organizimin e aktiviteteve të tilla dhe u shpreh se kleri fetar ka patur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë.

“Kleri fetar, mysliman, katolik dhe ortodoks ka patur rolin thelbësor në përpjekjet dhe procesin e formimit të shtetit Shqiptar. Secili nga ne duhet të reflektojë në pazë të pozicionit që ka në mënyrë që të kontribuohet vazhdimisht në përparimin e vendit tonë” u shpreh z. Gjana.

Pas përshëndetjeve pjesëmarrësit ndoqën panelin referues të përbërë nga përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH, znj. Fatma Karaj, përgjegjësi i departamentit të Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër, z. Genti Kruja dhe historian, z. Alfred Sulejmani.

Tre referuesit nxorrën në pah figura të rëndësishme të klerit mysliman, jetën dhe veprën e tyre si dhe kontributin që ata kanë dhënë në përparimin dhe forcimin e kombit tonë.

Gjatë simpoziumit u ndoq një dokumentar mbi historikun e KMSH-së dhe prijësve mysliman.

Në fund të aktivitetit u organizua edhe ekspozita me figurat e njohura të klerit mysliman shqiptar i shoqëruar edhe me koktej.