10495809_606726826107770_7786119581723690851_o (1)Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, shtroi mbrëmë një iftar në respekt të muajit të bekuar të Ramazanit.

Në këtë iftar ishin të ftuar kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, drejtues të KMSH-së, ministra, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, si dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, u shpreh: “Ramazani është muaji ku njeriu afrohet më shumë me Zotin, përmes adhurimit, përkushtimit, bujarisë, lëmoshës e sigurisht edhe bashkimit në sofrën e iftarit. Një shembull i mirë i këtij bashkimi është kjo tryezë, ku njerëz të fushave të ndryshme, janë mbledhur për të ndarë respektin, dashurinë, idetë, mendimet, pikëpamjet dhe harmoninë mes njëri-tjetrit.”

Ndërkohë z. Brucaj, duke kujtuar situatën e rëndë dhe ngjarjet e dhimbshme, që po përjetojnë popujt në Siri, Irak, Palestinë dhe në vende të tjera me popullsi myslimane, dënoi ashpër çdo akt dhune e terrori dhe u shpreh se ne i besojmë Kur’anit që thotë: “Kush i merr jetën një njeriu është sikur t’i ketë marrë jetën të gjithë njerëzimit, dhe kush i shpëton jetën një njeriu, është sikur t’i ketë shpëtuar jetën të gjithë njerëzimit. Le të jetë ky varg kur’anor një mesazh për mbarë botën, sidomos për organizmat ndërkombëtar dhe diplomacinë mbarëbotërore, një thirrje me urgjencë në drejtim të paqes në vendet ku ka luftë e konflikte, e sidomos në Palestinë (Gaza), ku po përjetohet një dramë njerëzore ndaj fëmijëve dhe njerëzve të pafajshëm.

“Si Komunitet Mysliman – vazhdoi më tej z. Bruçaj, – që në fillim të këtij Muaji të Begatë u kemi bërë thirrje të gjithëve, sidomos besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ata ndodhen, imamëve dhe prijësve fetarë nëpër xhami dhe myftini, që të bëjnë dua e të luten pa pushim, që Allahu i Madhëruar të sjellë paqen në ato vende ku ka luftë dhe konflikte, t’i ruajë banorët e tyre nga çdo e keqe dhe katastrofë në këtë Muaj të Bekuar e të Madhnueshëm të Ramazanit e më tej në vazhdimësi.”

Ndërsa ministri Ditmir Bushati tha: “Feja myslimane është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Feja nuk është as trend, as modë. Është besim i palëkundur te Krijuesi, dhe besimi në Zot vetëm sa e pasuron shpirtin e popullit. Shumë jo-praktikantë kujtojnë se Ramazani ka të bëjë vetëm me shmangien e ushqimit dhe pijeve gjatë ditës, por muaji i Ramazanit nuk është vetëm agjërim për trupin, para së gjithash, është një kohë thellësisht shpirtërore, gjatë së cilës njeriu përpiqet të bëhet njeri më i mirë, të gjejë paqen e brendshme dhe të jetë sa më pranë Zotit.”

21 korrik 2014

10498467_606726772774442_7838933656700247972_o

10547885_606727112774408_5285560179276858078_oiftari bushatit1559395_606727366107716_7271446215213816014_o