Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e parë për vitin 2020.

Në mbledhjen e zhvilluar, merrnin pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues dhe të KNFSH-së, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Takimi ndërfetar i mbajtur në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse është hapur nga Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, njëkohësisht dhe kreu në detyrë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili i ka falënderuar të gjithë për angazhimet e përbashkëta për gjatë vitit të kaluar. Më tej, sipas rotacionit të miratuar nga Bordi i Presidencës, ai ia ka dorëzuar detyrën e kreut të KNFSH-së Mons. George Frendo, njëkohësisht dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i cili do të kryesojë presidencën e KNFSH-së për gjatë vitit 2020.

Në vijim mbledhja ka vazhduar sipas rendit të ditës, agjendë e cila është bërë e ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja, i cili ka paraqitur raportin një vjeçar të KNFSH-së.

Raport në të cilin përfshiheshin nënshkrimi i marrëveshjeve, takimet e zhvilluara përgjatë gjithë vitit, konferencat, bashkëpunimet, vendimet e marra, etj.

Në vijim të mbledhjes financierja e KNFSH-së, znj. Shelda Agaraj, ka pasqyruar raportin e plotë financiar të detajuar të Këshillit Ndërfetar për 8-mujorin e fundit.

Anëtarët e Këshillit të Presidencës gjatë kësaj mbledhjeje kanë diskutuar edhe për disa çështje të rëndësishme lidhur me angazhimet e KNFSH-së në vazhdimësi.