Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me imamin nga Riyadi i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Hamed el-Wahibi, vizituan ditën e djeshme Myftininë e Delvinës, ku u pritën nga Myftiu, z. Bledar Ali, stafi i tij dhe besimtarët e këtij qyteti.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Spahiu mbajti hutben e xhumasë në xhaminë e Delvinës, ku ndau me besimtarët temën: “Ramazani, muaji i Kuranit”.
“Ky muaj i jep përparësi lidhjes direkte mes robit dhe Zotit të tij, është një mundësi për shlyerje mëkatesh, shpërblimi të madh tek Allahu, hapje e dyerve të bereqetit nga qiejt dhe toka, shpëtim në dynja dhe ahiret, mëshirë e madhe dhe sukses i sigurtë.” – tha ndër të tjera kryetari Spahiu.
Menjëherë pas hutbes dhe faljes së namazit të xhumasë, kryetari Spahiu, Dr. Hamed el-Wahibi dhe Myftiu i Delvinës, zhvilluan një takim me të rinj të këtij qyteti në ambientet e myftinisë, ku ndanë mesazhe të ndryshme për kohën e lirë, angazhimin në punë të hajrit dhe obligimet e rinisë në famije, shoqëri e më gjerë.
Kjo vizitë vjen në kuadër të një sërë aktivitetesh që po zhvillohen nga myftinitë e vendit me rastin e muajit të beskuar të Ramazanit.