Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu sëbashku me kancelarin e institucionit, z. Ylli Cikalleshi zhvilluan sot një vizitë punë në Myftininë e Vlorës, ku u priten nga Myftiu, z. Bilal Bodlli dhe imamët e qytetit.

Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh aktuale të kësaj myftinie, përmendim këtu menaxhimin e vakëfeve të këtij qyteti, punën e përditshme të imamëve në përcjelljen e mesazhit Islam, aktivitetet, projektet dhe nismat e ndërmarra deri më tani nga kjo myftini, etj.

Në fjalën e tij, Myftiu i zonës, pasi e falënderoi Kreun e KMSH-së për vizitën, shprehu mirënjohjen e tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme të institucionit në mirëfunksionimin e përgjegjësive administrative të myftinisë.

Ndërsa Kryetari Spahiu, në fjalën e tij vlerësoi punën dhe angazhimin e përditshëm të Myftiut dhe imamëve të kësaj myftinie jo vetëm në përcjelljen e mesazhit Islam, por edhe në forcimin e mëtejshëm institucional dhe administrativ të kësaj myftinie.

Pas përfundimit të takimit në ambientet e myftinisë, Kryetari Spahiu, mbajti hutben e ditës së xhuma në xhaminë e “Plumbit”, ku foli mbi rëndësinë e punëve të mira që duhet të karakterizojnë besimtarët në jetën e përditshme.

“Njeriu si një qenie tepër e lartë, tepër e nderuar dhe i pajisur me mendje e logjikë është krijuar që të rregullojë, e të jetë gjithmonë drejt së mirës, drejt asaj që krijuesi i Tij është i kënaqur me të, dhe si rrjedhojë ka si mision të promovojë vlerat dhe virtytet e mira, e më pas ti përçojë ato në rrethin e tij shoqëror ku bën pjesë.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej ai shtoi se njeriu duhet të përfitojë nga ajetet Kur’anore duke i kuptuar ato drejt dhe rrjedhimisht ti ketë para vetes së tij si udhërrëfyes në përditshmërinë e tij.

Në fund të hutbes, Myftiu i qytetit, z. Bodlli priu në namazin e xhumasë ku ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm besimtarësh.