Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, shtruan mbrëmjen e djeshme një iftar për besimtarët myslimanë në ambientet e Hotel Sheraton.

Në fillim pjesëmarrësit i përshëndeti kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili falënderoi z. Rama dhe zonjën e tij për këtë darkë iftari, në respekt të sakrificës së myslimanëve shqiptarë në muajin e Ramazanit.

Ndërsa Kryeministri Rama, në fjalën e tij para të ftuarve, theksoi se ky muaj është një mundësi e mirë për të kuptuar më mirë veten dhe tjetrin. “Ramazani, – tha z. Rama, – është të dëgjosh urinë si flet për shpërdorimin, si flet për harresën, si flet për nënvlerësimin, si flet për mosrespektin dhe kështu të kuptosh njeriun, ashtu siç Profeti Muhamed thotë se, “Zoti e sheh drejt e në zemër, krejtësisht në veprime, pa i parë veshjen, pa i parë pasurinë”.

Në vijim të fjalës së tij z. Rama shtoi se, sofra e iftarit mbart një simbolikë të veçantë pasi ajo nuk bashkon veç myslimanët me njëri-tjetrin, por edhe të krishterët me myslimanët. “Këtu te ne zbulohet për bukuri ajo pjesë e librit të hapur të Ramazanit, që nuk iu flet praktikantëve të besimit, por njerëzve në tërësi, të cilët iftari i bashkon në një sofër.

Është muaji kur thuhet që zbret Libri i Shenjtë  i myslimanëve, Kurani. Është e gjithëditur se urdhri i parë që i jep engjëlli Profetit është: “Lexo!”, si një pjesë e sures së parë që zbret dhe që flet për dije dhe për shkrim”, tha ndër të tjera Rama.

Në fund, z. Rama falënderoi Kryetarin e Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj dhe të gjithë pjesëmarrësit për përgjigjen e ftesës, duke kërkuar prej tyre që t’i drejtohen Zotit me lutje për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Çka dua t’ju kërkoj është një lutje më shumë për shqiptarët, si pjesë e një kombi të ndarë në shumë pjesë, por që ka mundësinë të rrezatojë si një trup i vetëm mjaft bukur mbi këtë tokë, falë harmonisë që garanton dhe bashkëjetesës mes feve”, përfundoi z. Rama.

Të pranishëm në këtë iftar ishin drejtues e punonjës të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, myftinjtë e rretheve, ministra, deputetë, përfaqësues të spektrit politik, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, njerëz të kulturës, medias, biznesit, ministra, deputetë, etj.

 9 Korrik 2014

 iftari i kryministrit (4) iftari i kryministrit (2) iftari i kryministrit (3) iftari i kryministrit (1) ZK1A0089 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë