Kordinatori i Haxhit për Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli zhvilloi një takim me ministrin e Haxhit dhe Umres në Mbretërinë e Arabisë Saudite, z. Taufik bin Feuzan al-Rabiah.

Kordinatori i Haxhit e falënderoi ministrin për angazhimin dhe punën e palodhur në shërbim të haxhinjve, ku me anë të organizimit të tyre lehtësojnë dhe ofrojnë kushte bashkëkohore për të gjithë besimtarët nga e mbarë bota.

Ministri Al-Rabiah shprehu konsideratën e tij për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për bashkëpunim e frytshëm mes dy institucioneve në organizimin e Haxhit, duke shtuar se ai dhe stafi i tij do të angazhohen vazhdimisht në rritjen e cilësisë së shërbimeve për të ftuarit e Allahut, haxhinjtë.

Gjithashtu z. Luli, i uroi ministrit mirëseardhjen në Shqipëri ku me ftesë të Komunitetit Mysliman, ai do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë gjatë muajit tetor, ku do të marrë pjesë edhe në konferencën dhe panairin e Haxhit dhe Umres për rajonin, aktivitet ky që do të organizohet nga Ministria e Haxhit dhe Umres dhe KMSH.

Ky takim u organizua në Mekë ndërkohë që haxhinjtë nga Shqipëria dhe e mbarë bota po bëhen gati për t’u nisur ditën e nesërme drejt Minas dhe për të filluar ritualin e Haxhit.

Gjatë këtij takimi Kordinatori i Haxhit shoqërohej nga këshilltari i Kryetarit të KMSH-së për Marrëdhëniet me Botën Arabe, Dr. Xhemal Saferty.