Kolegji Universitar “Bedër” vlerëson me titullin “Doctor Honoris Causa” Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa.

Në ceremoninë e zhvilluar ditën e sotme në ambientet e këtij institucioni, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku, ambasadorë, anëtarë të senatit dhe drejtues të lartë të Kolegjit Universitar “Bedër”, myftinj, imamë dhe një numër i konsiderueshëm studentësh.

Kjo ceremoni nisi me leximin e disa ajeteve të Kuranit Famëlartë nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.

Për të vijuar më pas me fjalën hapëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili, pasi theksoi veprimtarinë e KU “Bedër” në sferën akademike e shkencore të vendit tonë, vlerësoi edhe një herë figurën e Dr. el-Isa për kontributin e tij të vyer në mesin tonë.

“Teksa shëtisni nëpër botë, në lindje dhe në perëndimin e saj, mbartni me vete mesazhin e mirësisë, dritës, dijes, krenarisë, tolerancës, bashkëjetesës, dashurisë dhe dialogut me të gjithë.” – veçoi kryetari Spahiu gjatë përshëndetjes së tij.

Ndërsa Rektori i KU “Bedër”, Prof. Dr. Gjergj Sinani, në fjalën e tij, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, bëri një rezyme të shkurtër të personalitetit dhe kontributit të z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa në fushën e dialogut, tolerancës, paqes, humanizmit, etj.

“Në këtë sintezë të shkurtër të jetës dhe aktivitetit të Dr. el-Isa ne shikojmë të shpaloset ajo që përbën tiparin thelbësor të bashkësive myslimane gjatë shekujve, që është angazhimi me mënyrën e jetesës së Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij, të cilat përbëjnë rrugën e drejtë që bashkësia duhet të ruajë dhe të imitojë.” – tha ndër të tjera rektori Sinani.

Më tej rektori i Bedër, lexoi para të pranishmëve recensën akademike të titullit “Doctor Honoris Causa”. Në përfundim të saj dhe në emër të senatit akademik të Kolegjit Universitar “Bedër”, ai i akordoi Dr. el-Isa titullin e lartë “Honoris Causa”, me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e kulturës së tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, si dhe rolin aktiv në inkurajimin dhe mbështetjen e programeve dhe nismave humanitare në mbarë botën”.

Menjëherë pas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, shprehu vlerësim ndaj ecurisë së deritanishme të Kolegjit Universitar “Bedër”, si institucioni më i lartë arsimor i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Po ashtu ai e veçoi këtë vlerësim si një motivim shtesë në rrugëtimin e tij.

“Vlerësimi i sotëm nga ky institucion, më shton edhe më shumë përgjegjësinë për ta çur më tej misionin e konsolidimit dhe promovimit të paqes në të gjithë botën. Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, pasi siç të gjithë e dimë, universiteti apo institucionet arsimore në përgjithësi, janë djepi ku edukohen brezat e rinj me frymën e vlerave morale universale. Falë tolerancës ndërfetare, falë dialogut ndërkulturor dhe jashtë çdo ideologjie të devjiuar do të arrijmë të kemi rezultate dhe suksese në të gjitha aspektet e jetës së përditshme”. – tha ndër të tjera Dr. el-Isa gjatë fjalës së tij të rastit.

Vlerësimi i sotëm nga Kolegji Universitar “Bedër” e çon në 17 numrin e vlerësimeve dhe titujve kombëtar dhe ndërkombëtarë të akorduar ndaj figurës së Dr. el-Isa në fushat e veprimtarisë së tij.