Në ceremoninë e hapjes, e cila u zhvillua sot në sallën e konferencave të këtij institucioni, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Rektori i KU “Bedër”, Prof. Dr. Gjergj Sinani, Kryetari i Bordit të Administrimit, Dr. Ali Zaimi, stafi akademik e ai administrativ, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh të rinj, pindër e të ftuar.

Në fjalën e tij hapëse, Rektori i Bedër, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, inkurajoi stafin për një tjetër vit plot me sfida në rrugën e bukur të dijes dhe kërkoi nga studentët e rinj angazhim dhe bashkëpunim në këtë rrugëtim të ri të përbashkët.

Ndërsa kryetari Spahiu, theksoi arritjet e këtij institucioni ndër vite, duke nxjerrë në pah punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm të stafit të Ku “Bedër” në formimin e profesionistëve të rinj. Më tej ai u bëri thirrje studentëve t’u përkushtohen sa më shumë studimeve në mënyrë që të justifikojnë edhe sakrificat e prindërve të tyre në këtë drejtim.

“Një gjë besoj fort, të nxënit është një nga gjërat më të vështira në jetën e njeriut, por është e vetmja rrugë, nuk ka të dytë, për cilindo që aspiron të bëhet dikushi në jetë. Ju vini këtu me sakrifica të mëdha, prindërit tuaj ndoshta heqin shumëçka nga vetja për t’ju arsimuar ju. Mos e harroni këtë pasi vetëm kështu do të nderoni veten dhe familjet tuaja.” – u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Ceremonia e hapjes vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të kryetarit të bordit të administrimit, z. Zaimi, i cili u ndal në aspekte të ndryshme të jetës studentore me të cilat do të përballen studentët gjatë këtyre 3 viteve ne universitet.

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, përshëndetën gjithashtu edhe disa përfaqësues nga studentët e diplomuar, ata aktualë si dhe studentët e rinj të këtij viti akademik.