KOLANA ZANI I NALTE

 

Krahas risjelljes në jetë të revistës “Zani i Naltë”, si një revistë shkencore, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë pas një pune të gjatë kërkimi të burimeve të më se 150 numrave origjinalë të revistës “Zani i Naltë” (1923-1939) me rreth 5.000 faqe botim, ka arritur të bëjë të mundur skanimin e plotë të kolanës 16 vjeçare dhe për këtë falënderojmë në mënyrë të veçantë Bibliotekën e qytetit Shkodër, drejtorin e saj z. Gjovalin Çuni për mundësinë dhe lehtësinë që na tregoi në skanimin e shumicës së kolanës, si dhe punonjësen e palodhur të bibliotekës znj. Sidita Halluni. Falënderojmë gjithashtu Dr. Hasan Bellon dhe z. Ferit Hafizi, për sigurimin e numrave që i mungonin bibliotekës, si dhe Kryesinë e KMSH-së për të gjithë mbështetjen e dhënë në botimin e kolanës së revistës “Zani i Naltë”. Ajo përbëhet nga rreth 5.000 faqe, e ndarë në 10 vëllime.

Ky botim vjen si faksimile e origjinalit, prandaj vende-vende mund të ketë pjesë të zbehta, sepse materiali nuk është rishkruar, por për t’i ruajtur origjinalitetin është botuar në variantin e skanuar me gjuhën origjinale të atyre viteve. Po kështu është hartuar edhe përmbajtja, e ndarë sipas numrave të revistës me gjuhën origjinale. E njëjta gjë është bërë edhe me numrin e faqeve, të cilat janë të gjitha sipas origjinalit, ku revista pasardhëse ka vazhduar numrin rendor të revistës paraardhëse, e kështu në bazë të saj është ndarë edhe kolana në 10 vëllime.