ZK1A0129Paraditen e sotme, në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka nisur fushata e dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë.

Nën sloganin “Së bashku dhurojmë jetë…”, Komuniteti Mysliman ka hapur sot dyert për të gjithë individët që kanë shfaqur dëshirën për të dhuruar gjak. Në ndihmë të këtyre fëmijëve në nevojë ka ardhur edhe administrata e KMSH-së.

Drejtori i Çështjeve Sociale në KMSH, Edvin Kuçi, u shpreh se, ky është një akt human dhe u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të dhurojnë gjak duke u bërë shkak për shpëtimin e një jete.

“Jeta është dhuratë nga Zoti dhe besimtarët e kuptojnë më së miri vlerën e këtij akti, ashtu siç thotë Zoti në Kuran ‘kush shpëton një jetë, sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin’. Ndaj unë përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë besimtarëve, por jo vetëm, që të kontribuojnë dhe t’i vijnë në ndihmë kësaj kategorie fëmijësh, të cilët më shumë se çdo kush si qëllim të tyre kanë mbijetesën”, u shpreh z. Kuçi.

Fushata e çelur sot, 30 tetor, do të vazhdojë për një muaj, duke bërë pjesë të saj të gjitha xhamitë e Tiranës, si dhe ato në qytetet e tjera të vendit.

Ky projekt lindi si dëshirë e besimtarëve për të dhënë kontributin e tyre ndaj kësaj kategorie fëmijësh, të cilët luftojnë me jetën çdo ditë. Fushata organizohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar.

Kjo nuk është hera e parë që Komuniteti Mysliman ndërmerr fushata të tilla sensibilizimi në ndihmë të shtresave të ndryshme sociale.

/KMSH/

ZK1A0046

ZK1A0023

ZK1A0164