ZK1A0059

Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është çelur sot fushata e dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë.

Nën sloganin “Së bashku dhurojmë jetë”, Komuniteti Mysliman ka hapur sot dyert për të gjithë personat që kanë dëshirën e mirë për të dhuruar gjak. Të parët që kanë dhuruar gjak, ishin punonjësit e administratës së institucionit.

Drejtori i Çështjeve Sociale në KMSH, Edvin Kuçi, theksoi se dhurimi i gjakut është gjest i lartë qytetarie dhe një shembull konkret i ndihmës ndaj tjetrit në nevojë. Ai u bëri thirrje besimtarëve, por edhe qytetarëve të Tiranës, që t’i bashkohen kësaj nisme me shpresën se do të fitojnë kënaqësinë e Zotit dhe t’u falin dashuri këtyre fëmijëve.

“Jeta është dhuratë nga Zoti dhe besimtarët e kuptojnë më së miri vlerën e këtij akti. Në Kur’an thuhet: ‘Kush shpëton një jetë, sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin’. Prandaj përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë besimtarëve, por jo vetëm, që të kontribuojnë dhe t’u vijnë në ndihmë këtyre fëmijëve, të cilët më shumë se çdokush tjetër përballen me rrezikun për jetën”, u shpreh z. Kuçi.

Fushata e çelur sot, datë 8 maj 2015, do të vazhdojë për dy muaj (Maj-Qershor), duke bërë pjesë të saj xhami dhe institucione që janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman.

Fushata organizohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar.

Nuk është hera e parë që Komuniteti Mysliman ndërmerr fushata të tilla sensibilizuese. Në tetorin e vitit të kaluar, nga një iniciativë e ngjashme dhe falë kontributit të besimtarëve e qytetarëve të Tiranës, u grumbulluan 82 njësi gjaku.

Në vendin tonë ka rreth 600 fëmijë të prekur nga sëmundja e Talasemisë, për më tepër ka shumë të sëmurë me tumore, leucemi etj., çka e bën nevojën për gjak shumë emergjente.

ZK1A0005ZK1A0042ZK1A0045ZK1A0071