Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, Myftiun e Tiranës, z. Lauren Luli, donatorin, Dr. Husein Al-Harbi, z. Mahmud Nexhdi, drejtor i projekteve për Ballkanin, përfaqësues nga Ambasada e Kuvajtit, Drejtorin e Fondacionit “Mirënjohja”, z. Samet Shehu, si dhe me dhjetëra besimtarë të pranishëm të zonës, hapën dyert e xhamisë së re të Saukut.

Ceremonia u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami Abdullah Ziba, për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Tiranës, Lauren Luli, i cili falenderoi të gjithë ata të cilët bënë të mundur rindërtimin e kësaj xhamie, e cila dy vite më parë u prish si pasojë e dëmtimeve të shumta që mori nga tërmeti i 2019-tës, dhe u bëri thirrje besimtarëve të zonës ta pasurojnë atë çdo ditë me adhurime ndaj Krijuesit të Gjithësisë.

Më tej, fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Spahiu, i cili bëri një rezyme të shkurtër të punës në rindërtimin e xhamisë në fjalë, që nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti e deri në inaugurimin e sotëm të saj, duke falenderuar të gjithë ata që e bënë të mundur.

“Dua të falënderoj donatorët, Zoti i shpërbleftë për këtë vepër kaq të bukur që i shtohet vendeve të adhurimit të Allahut (xh.sh) në kryeqytetin tonë të përbashkët, stafin tim që është kujdesur çdo ditë për mbarëvajtjen e këtij ndërtimi, nga myftiu i Tiranës, Lauren Luli e deri te Drejtori i Vakëfeve Edison Hoti. Gjithashtu edhe kryetarin e Bashkisë, z.Veliaj, për kontributin e dhënë në lehtësimin procedurial të këtij objekti. Zoti i shpërbleftë të gjithë, besimtarët ta gëzojnë dhe përfitofshin sa më shumë nga begatia në këtë xhami!” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, vuri theksin në ambientet kulturore të xhamisë, në të cilat do të zhillohen kurse të ndryshme profesionale, edukative, fetare e sociale, si një instrument i vyer në edukimin e brezave të rinj të kryeqytetit. Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Komunitetit Mysliman në zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës, nëpërmjet projekteve dhe iniciativave të ndryshme, duke vlerësuar marrëdhënien dy-palëshe.

Dr. Husein Al-Harbi, donatori kryesor i kësaj xhamie, shprehu kënaqësinë e tij në mundësinë për të kontribuuar me një vepër kaq të dobishme për besimtarët myslimanë dhe për qytetin e Tiranë.

Të pranishmit i përshëndetën gjithashtu edhe z. Mahmud Nexhdi dhe Drejtori i Fondacionit “Mirënjohja”, z. Shahu, të cilët përcollën mesazhe të shumta të paqeje, harmonie dhe bashkëpunimi.

Në fund të ceremonisë, të pranishmit vizituan ambientet e brendshme të xhamisë ku falën bashkarisht edhe namazin e drekës.