Me rastin e muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri shtroi një iftar, ku ishin të ftuar përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues të trupit diplomatik, figura të jetës kulturore, shoqërore e shkencore, si dhe besimtarë e qytetarë të Tiranës.

Ambasadori z. Hidayet Bayraktar, duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve, u shpreh: “Unë jam i kënaqur që tashmë Ambasada jonë, në koordinim me DIYANET-in (Komunitetin Mysliman të Turqisë), e ka kthyer në traditë shtrimin e këtij iftari, për të qenë të gjithë bashkë, për të falënderuar Zotin dhe për të ndarë së bashku gëzimin dhe kënaqësinë, që na sjell ky muaj i bekuar.”

Më tej e mori fjalën këshilltari për çështjet fetare pranë kësaj ambasade, z. Shaban Ishlek, i cili tha: “Ramazani është muaji i gëzimit, për të qenë afër familjes, për të dashur të  afërmit dhe miqtë, për të ndihmuar këdo që është në nevojë. Kudo në botë festohet ky muaj. Kudo në botë shtrohen iftare për të nderuar këtë sakrificë sublime, që bëhet për hir të Zotit.”

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj,  pasi falënderoi Ambasadën e Turqisë për këtë sofër të begatë e vëllazërore, vlerësoi vëllazërinë e dy popujve tanë, si dhe vullnetin e mirë të DIYANET-it, për të ndarë gëzimin e këtij muaji me besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën.

17 korrik 2014

DSC_0102 DSC_0106 IMG_6613 IMG_6621