Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u zhvillua mbrëmjen e djeshme pas namazit të akshamit në xhaminë e “Pazarit të Ri” në Tiranë.

Programi filloi me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga hafizi Enes Hyka, për të vijuar më tej me fjalën përshëndetëse të imamit të kësaj xhamie, z. Saimir Ismaili, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe të ftuarit për referimin e temave përkatëse.

Më tej, Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, pasi falënderoi besimtarët e pranishëm për pjesëmarrjen, theksoi rëndësinë e aktivitete të tilla si domosdoshmëri për të nxjerrë mësime në jetën e përditshme dhe si shtysë për të forcuar besimin tonë. Me tej ai shprehu vendosmërinë e myftinisë së Tiranës për ta shtrirë ciklin e fryteve të besimit në të gjitha xhamitë e kryeqytetit.

Aktiviteti vijoi më tej me referimin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, i cili referoi mbi meditimin, duke e trajtuar atë në kontekstin e hulumtimit të mirësive që Allahu xh.sh i ka dhuruar robit të tij në këtë botë. Sipas tij, meditimi është ndër adhurimet kryesore që e bën njeriun të njohë veten e rrjedhimisht Zotin (Krijuesin) e tij.

“Duke qenë së jetojmë në një botë të mbingarkuar në aspekte të ndryshme sociale apo psikologjike, për njeriun bëhet e domosdoshme që shpeshherë të rikujtojë disa pyetje ekzistenciale për qëllimin e ardhjes së tij në këtë jetë. Njeriu ka nevoje ti tërheqë vëmendjen vetes së tij vazhdimisht që të mos e harrojë arsyen se përse ka ardhur në këtë botë. ” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar Spahiu, referoi mbi sinqeritetin që duhet të ekzistojë mes fjalës dhe veprës së besimtarit, duke e ilustruar fjalimin e tij me ajete të shumtë nga Kur’ani fisnik. Sipas tij, sinqeriteti dhe veprat e mira janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, pasi një besimtar i vërtetë mysliman nuk mund ta konceptojë dhe ndërtojë jetën e tij pa nijetin e pastër në veprimin e çdo pune në jetën e tij të përditshme.

“Që çdo punë e jona të ketë bereqet dhe sukses si në aspektin material po ashtu edhe në atë shpirtëror, duhet me patjetër ta ketë sinqeritetin në brendësi te saj.” – tha ai.

Në fund të aktivitetit, besimtarët e pranishëm ndanë sëbashku ujin e zemzemit të sjellë më parë në ambientet e xhamisë.