delvine (3)

Programet fetare “Frytet e Besimit” janë ndalur të Premten e 19 dhjetorit, në Xhaminë e Delvinës, pas namazit të Jacisë, ku u dallua mikpritja e ngrohtë dhe sqimatare e besimtarëve të këtij qyteti.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi, në fjalën e tij u shpreh se besimi është durim dhe falënderim dhe se detyra e njeriut është t’ia bëjë të njohur këtë njerëzve. “Detyra e parë e njeriut në këtë botë është të njohë dhe të dojë Zotin e tij. Detyra e tij e dytë është t’ia bëjë atë të njohur njerëzve të tjerë, secili sipas mundësive dhe mënyrës më të mirë të mundshme”, tha nënkryetari Zaimi.

Gjithashtu ai nënvizoi se njerëzit duhen të jenë të sigurt nga besimtarët. “Besimi është një vlerë e shoqërisë dhe një rregullator i jetës së çdo individi, i cili e fisnikëron njeriun dhe pasqyron tek ai vlerat më të larta, humane e shoqërore.

Kryevaizi i KMSH-së, H. Lauren Luli, u shpreh se cilësitë e besimtarit të mirë janë të mëshiruara te Profeti Muhamed a.s. dhe se të gjithë myslimanët duhet të ndjekin shembullin e tij.

“Allahu na ka krijuar në mënyrën më perfekte, por cilat janë ato cilësi që mbart dhe duhet të ketë një besimtar? Përgjigjja e kësaj pyetje qëndron te shembulli i Profetit Muhamed a.s. Ashtu siç Allahu thotë në Kur’an, se me të vërtet ju kishit shembullin më perfekt te Profeti Muhamed, me jetën, veprat, fjalën e tij; ai erdhi për të na treguar ne se si duhet të jetë një besimtar. Shembulli i tij mahniti gjithë botën. Të gjitha cilësitë e një besimtari të vërtetë dhe në shkallën më të lartë mëshirohen tek ai”, nënvizoi z. Luli.

Myftiu i Delvinës, Bledar Ali, u shpreh se besimi mbahet gjallë dhe ushqehet nga përkujtimi dhe diskutimi i çështjeve të fesë, pasi siç tha ai, çdo individ ka nevojë t’i rikujtojë vazhdimisht edhe ato gjëra që di, në mënyrë që të mos harrohen.

Ndërkohë, mbrëmja u pasua edhe me këndim Kur’ani nga studenti i teologjisë në Universitetin Bedër, Adnan Merja.

Pas programit, përfaqësuesit e KMSH-së inspektuan edhe punimet e Xhamisë së re të Delvinës, punime të cilat priten të mbarojnë së shpejti.

delvine (4)delvine (2) delvine (5)delvine (1) delvine (6)