Mbyll punimet forumi i Bahrejnit: “Lindja dhe perëndimi për bashkëjetesën njerëzore”
Pjesë e këtij organizimi ndërkombëtar ishin studiues, personalitete politike dhe liderë fetarë nga e gjithë bota, ndër ta edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe z. Sami Shiba, Ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite.
Qëllimi kryesor i këtij forumi, i cili u zhvillua në Mbretërinë e Bahrejnit, mes datave 3 dhe 4 Nëntor 2022, ishte adresimi dhe zgjidhja e problematikave prej të cilave vuan shoqëria njerëzore sot.
Të pranishëm në sesionin përmbyllës të forumit, ishin vetë Mbreti i Bahrejnit, Hamad bin Isa al Khalifa, Shejhul Al-Az’harit, Ahmed al-Tajib dhe Papa Françesku i Vatikanit.
Në fjalën e tij, Mbreti i Bahrejnit, theksoi prezencën e dy liderëve fetarë të sipërpërmendur si të një rëndësie të veçantë, ç’ka e pasuroi edhe më tej këtë forum dhe gjetjet e tij.
“Forumi dëshmoi pjesëmarrjen e elitave nga Lindja dhe Perëndimi, të cilët u zotuan se do t’i shërbejnë njerëzimit dhe do të punojnë për avancimin e tij dhe të bashkuar me fjalë dhe vepra për të mbështetur vlerat e paqes, njohjes reciproke dhe bashkëpunimit në drejtësi dhe devotshmëri” – tha ai.
Pas tij, ishte radha e Shejh Al-Az’har, Ahmed al-Tajib, të ndante me të pranishmit fjalën e tij, ku shprehu vlerësim të veçantë për mbretin e Bahrejnit, jo vetëm për pjesëmarrjen në këtë forum por edhe për përkujdesjen e mbarëvajtjes së tij.
“Rëndësia historike e këtij forumi qëndron në pjesëmarrjen e figurave të mëdha dhe të shumëllojshme nga Lindja dhe Perëndimi. Bahrejni ka një trashëgimi të gjatë të ruajtjes dhe kultivimit të paqes dhe tolerancës, bashkëjetesës së qytetërimeve dhe kulturave, si dhe shndërrimit të asaj që është e përshtatshme prej tyre në një burim krijues dhe energji që të çon drejt stabilitetit dhe zhvillimit” – u shpreh ai.
Ky sesion vijoi më tej me fjalën e Papa Franqeskut, i cili vuri theksin në dy blloqet kryesore, Lindjen dhe Perëndimin, si dy territore për të cilat ne të gjithë duhet të kontribuojmë në forcimin e urave aktuale të komunikimit e bashkëpunimit, si dhe në gjetjen e formave të reja të kontributit në rrugën e paqes dhe stabilitetit shoqëror.
Ai gjithashtu përsëriti kritikat e tij për konfliktet aktuale të hapura në disa kampe në të gjithë botën.
“Për fat të keq, Lindja dhe Perëndimi janë gjithnjë e më shumë si dy dete antagoniste, por ne jemi këtu së bashku sepse jemi të vendosur të lundrojmë në të njëjtin det dhe zgjedhja jonë është rruga e takimit, në vend të shtegut të konfrontimit, dhe rruga të dialogut të cilit i referohet ky forum.” – u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Forumi vijoi më tej me pika të tjera të sesionit përmbyllës.
\