Zyra e Gruas - Burgu i Grave (3)Përfaqësuese të Zyrës së Gruas zhvilluan një takim me gratë e burgut të Ali Demit, ku dhe filloi cikli i ligjëratave fetare në këtë institucion. Tema e ligjëratës së parë ishte: “Të ecësh në gjurmët e Profetit a.s.”

Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, Fatma Karaj, falënderoi drejtuesit e institucionit, të cilët e kanë mirëpritur idenë e Zyrës së Gruas, që  është në përputhje me vizionin e institucionit dhe ka në fokus rehabilitimin më të shpejtë dhe riintegrimin normal në shoqëri të personave në konflikt me ligjin. Ajo falënderoi gjithashtu gratë pjesëmarrëse për dëshirën e tyre të madhe për të njohur dhe kuptuar sa më shumë nga mësimet e Fesë Islame.

Lidhur me temën e ligjëratës, znj. Karaj theksoi se të ecësh në gjurmët e Profetit, do të thotë ta marrësh atë si model kudo e kurdo në jetë.

“Profeti është shembulli që ne të gjithë duhet të ndjekim dhe jo ata njerëz që kanë si synim jetën e kësaj bote, që për hir të famës, parasë dhe egos janë në gjendje të bëjnë gjithçka, saqë shpesh harrojnë atë që është më e shtrenjtë dhe prioritare, familjen”, tha znj. Karaj.

“Profeti ynë , vijoi më tej znj. Karaj, – është shembulli më i përkryer për shoqërinë, duke u nisur nga familja, rrethi që na rrethon, shoqëria e më tej, pasi çdo gjë lidhet rreth familjes, ajo është çelësi i një shoqërie të shëndoshë dhe me moral të lartë.”

Takimi u përmbyll me një koktej, ku përfaqësueset myslimane dhe gratë pjesëmarrëse patën mundësinë të diskutojnë për shumë çështje të tjera, duke kaluar kështu një pasdite të këndshme në shoqërinë e njëra-tjetrës.

28 prill 2015

Zyra e Gruas - Burgu i Grave (1)

Zyra e Gruas - Burgu i Grave (2)