Drejtori i Fondacionit “Mirënjohja”, z. Samed Shehu, vizitoi ditën e sotme Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, për t’i shprehur atij urimet me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të institucionit.

Gjatë bashkëbisedimit, z. Shehu, theksoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve si majft pozitiv në shërbim të Islamit dhe besimtarëve në vendin tonë. Më tej, ai e uroi kryetarin Spahiu për një mandat të ri sa më të suksesshëm në krye të institucionit.

Ndërsa kryetari Spahiu, e falenderoi Drejtorin e Fondacionit “Mirënjohja” për vizitën dhe urimet dhe i shprehu atij vizionin në përmbushjen e përgjegjësive të reja në shërbim të besimtarëve myslimanë të vendit tonë.

Në përfundim të bashkëbisedimit të tyre, z. Shehu, i dorëzoi kryetarit Spahiu, letrën e Kryetarit të Bordit Administrativ të shoqatës “Ringjallja e Trashëgimisë Islame”, z. Tarik Sami Sulltan el-Isa. Letër në të cilën shpreheshin urimet për një mandat të suksesshëm dhe të drejtë në rrugën e së mirës në dobi të kombit dhe popullit shqiptar.

Gjatë këtij takimi, të pranishëm ishin gjithashtu edhe Drejtori i Vakf-Investimeve në KMSH, z. Edison Hoti dhe z. Ermal Çela, Përgjegjës i Projekteve pranë Fondacionit “Mirënjohja”.