[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=AstyrOLeXEQ” width=”560″ height=”315″]

 

Ka nisur mbrëmë, pas namazit të akshamit në Xhaminë e Et’hem Beut, sezoni i tretë i mbrëmjeve fetare “Bukuritë e Besimit Islam”, ku dhjetëra besimtarë myslimanë janë mbledhur për të mësuar apo rikujtuar diçka më shumë rreth fesë së tyre.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, në fjalën e tij u shpreh se bukuritë e besimit islam janë të pafundme dhe kjo reflektohet në çdo aspekt të jetës së besimtarit.

“Bukuritë e besimit islam janë ato bukuri që ne jetojmë në çdo moment, mjafton të shikosh këtë xhemat këtu dhe kupton një nga bukuritë e besimit Islam, dhe xhematet e tjera në mbarë Shqipërinë apo mbarë botën dhe njerëzit që futen aty për të adhuruar Allahun, për tu pajisur me moralin e lartë për tu bërë njerëz të denjë, njerëz të virtytshëm, për të jetuar një jetë më me shumë dinjitet, të gjitha këto janë prej bukurive të fesë sonë, bukurive të islamit” tha z. Zaimi.

Nënkryetari Zaimi u shpreh se besimtari të gjitha këto bukuri të besimit duhet tua bëjë të njohur edhe të tjerëve ashtu siç bëri edhe Profeti Muhamed.

“Profeti Muhamed a.s., u përpoq me mish e me shpirt që njerëzit ta njihnin besimin. Vetëm njerëzit e brumosur me dashuri të fortë, vetëm ata mund të jenë arkitektët e botës së ardhshme, e të ardhmes së ndritur. Myslimanët do të kenë mundësi që atë dashuri që kanë në zemër, atë moral të bukur, atë drejtësi, atë mëshirë, ato vlera, ato dije ta kontribuojnë për botën.

Ne jemi nxënës, nxënës të jetës, dhe shkolla më e mirë është shkolla e Kuranit, shkolla e Islamit, shkolla e Profetit Muhamed a.s”, theksoi nënkryetari Zaimi

Ndërsa Drejtori i Thirrjes në Islam, Elvis Naçi, u ndal të bukuria e veprës e cila sjell edhe shpërblimin te Zoti.

“Bukuria e veprës, ka kuptimin, që në qoftë se ne e zbukurojmë veprën siç e kërkon i madhi Zot, të gjitha bukuritë e tjera janë brenda saj. Vepra e mirë dhe e bukur rregullon të gjithë jetën, të gjitha dimensionet. Si dimensionin shpirtëror, mendor, familjar, shoqëror, në të gjitha aspektet, në çdo pore të jetës.”,  tha z. Naçi

Ai tha gjithashtu se me vullnetin e lirë që i është lënë njeriut, ai ka mundësi të ngrihet me lart edhe se sa engjëjt.

 “Ata që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira, këto janë krijesat më të mira. Komentuesit e Kuranit kanë thënë se njerëzit e devotshëm dhe punë mirë janë më të mirë sesa engjëjt e qiellit. Si mund të ndodhë kjo? Sepse engjëjt janë krijuar për të bërë vetëm të mirën, ndërsa njeriu duke pas mundësinë për tu bërë i keq, bëhet i mirë dhe kjo bëhet me sakrificë të madhe.”, tha Naçi

Ndërkohë në fjalën e hapjes, Kryevaizi i KMSH-së, Lauren Luli, u shpreh se mbledhja në takime të tilla ku përkujtohet krijuesi i gjithësisë është një bekim nga Allahu.

 “Allahu na e ka bërë xhaminë vendin më të begatë, ku mëshira dhe begatia e tij është në këto vende. Kjo mëshirë dhe begati shtohet akoma më tepër kur formohen në këto mexhlise, mbledhje apo tubime të tilla si ky i sotmi, nga njerëz të cilët vijnë për të përkujtuar Allahun.”, tha z. Luli

Kjo mbrëmje fetare u shoqërua edhe me këndim Kurani nga Elton Karaj.

Në fund të programit për të pranishmit u shpërnda ujë zemzemi.

Programet “Bukuritë e Besimit Islam” do të vazhdojnë për çdo javë në xhami të ndryshme të vendit.