Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu i shoqëruar nga drejtori Mesazhit Islam z. Astrit Zharri si dhe drejtori i Rinisë, z. Armand Shehu, zhvilluan një bisedë fetare me besimtarë të qytetit të Kavajës.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu theksoi se nëse zemra nuk ushqehet me bindje dhe dashuri për Allahun atëherë tek ajo do të mbizotërojë smira, inati, zemërimi, urrejtja, lakmia, egoizmi, e të tjera si këto. Këtë nënkupton edhe Profeti as kur thotë: Ne trup gjendet një copë mishi, nëse ajo është mirë, i gjithë trupi është mirë, nëse ajo është e prishur, i gjithë trupi është i prishur. Kjo copë mishi është zemra.

Drejtori i Mesazhit në KMSH Astrit Zharri, përqendroi vëmendjen mbi dashurinë e besimtarëve për jobesimtarët si dhe qëndrimin e Islamit ndaj kësaj çështjeje, duke cilësuar dashurinë për njerëzit si tipar që iu atribuohet besimtarëve. Ai vuri në dukje se ky tipar është pjesë e moralit dhe vlerë e fesë islame.

Drejtori i Rinisë në KMSH, Armand Shehu foli për shqetësimet dhe preokupimet e myslimanit ne çështjet e dynjasë dhe Ahiretit,  dhe se myslimani shqetësimin më të madh dhe angazhimin maksimal duhet ta ketë për t’u afruar tek Allahu dhe kryerjen e veprave te mira.

Myftiu i Kavajës z. Besnik Leçini  falënderoi përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman te Shqipërisë për bisedën dhe rëndësinë e takimeve e të bisedave fetare. Përkushtimi dhe devotshmëria ndaj Allahut e largon besimtarin nga veset e këqija.

21 prill 2017